• e hënë, 23 dhjetor 2024

Platforma: 100% e dedikuar për ju – Fokusimi në zhvillimin e turizmit kulturor, ligje të reja në arsim, investime kapitale në sport

Platforma: 100% e dedikuar për ju – Fokusimi në zhvillimin e turizmit kulturor, ligje të reja në arsim, investime kapitale në sport

Shkup, 28 tetor 2024 (MIA) - Përgatitja e programit turistik dhe fokusi në turizmin kulturor, ligje të reja në fushën e arsimit, përfshirë Ligjin për tekstet shkollore, ndërtimin e 30 sallave sportive, investime kapitale në sport, si dhe fonde financiare dhe ndihma për klube, federata dhe individë janë pjesë e aktiviteteve prioritare që ministrat përkatës bënë të ditur në fjalimin e tyre në manifestimin "Platforma: 100% e dedikuar për ju" të mbajtur në Qeveri, me temën "Masat dhe politikat për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe turizmit dhe sportit”.

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, ka sqaruar sot se problemi më i madh me të cilin ballafaqohet Ministria janë ngecja institucionale dhe mungesa e fondeve të mjaftueshme financiare.

“Nuk kemi pasur fonde as për investime kapitale, as për paga deri diku në qershor apo korrik. Tendenca ishte që në atë periudhë t'i siguronim këto fonde duke ribalancuar buxhetin, për të cilin kishim një kohë shumë të shkurtër për të mbledhur. Pra, përveç aktiviteteve programore, ka pasur bllokim dhe ngecje nëpër projekte. Nuk kemi pasur dhe nuk kemi ende Strategji Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës, nuk kemi ligj të ri për kulturën, kështu që primare është sigurimi i pagave, të cilat ishin rreth 273 milionë denarë, për të përfunduar vitin deri në fund”, tha Ljutkov.

 Ai ka përmendur edhe Euroimazhin, duke theksuar se është dashur të sigurohen 150 mijë euro për xhirimet e serialeve televizive për Agjencinë e Filmit. Siç tha ai, në vitin 2024 është marrë vendim i Qeverisë, por nuk është nënshkruar kontrata dhe as fondet nuk janë siguruar.

“Me përpjekje të forta, me konvertimin e fondeve i kemi siguruar ato 150 mijë euro dhe pres që gjatë javës së ardhshme ta nënshkruajmë marrëveshjen me institucionet evropiane dhe nga viti 2025 do të kemi një prodhim më serioz”, tha Ljutkov.

Lidhur me turizmin, i cili tani bëhet pjesë e Ministrisë së Kulturës, Ljutkov informoi se kanë mbetur edhe 20 ditë që ta marrin përsipër të gjithë turizmin dhe të fillojnë përgatitjen e programit të përbashkët për vitin 2025.

 

 

Siç tha ai, fokusi do të jetë zhvillimi i turizmit kulturor, duke theksuar se statistikisht gjatë viteve të fundit shteti ka marrë përfitimin më të madh ekonomik pikërisht nga turizmi kulturor dhe nga vizita në monumente historike dhe objekte arkeologjike.

“Për mua si ministrër dhe si Ministri e Kulturës dhe Turizmit, zhvillimi i turizmit kulturor do të jetë prioritet, veçanërisht në periudhën verore të turizmit transit, ku kemi numrin më të madh të objekteve arkeologjike, bukurive natyrore, zhvillimi i turizimit malor, turizmi i verërave dhe aty, në atë pjesë do të zhvillohet më së shumti hoteleria. Pra, mendoj se në këtë periudhë, pasi që ai terren është më i gatshëm për ne, fokusi do të jetë zhvillimi i turizmit transit”, shtoi Ljutkov.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në fjalën e saj tregoi se do të vazhdojë ndërtimi i fakulteteve, por edhe i konvikteve studentore.

“Gjithashtu, do të vazhdojmë ndërtimin e objekteve të infrastrukturës, përfshirë salla sportive. Do të vazhdojmë me ndërtimin e rreth 30 sallave sportive për zhvillimin e shëndetshëm psikofizik të nxënësve dhe studentëve. Investimet në arsim vazhdojnë me intensitet të madh dhe ne nuk kemi ndërmend ta zvogëlojmë fare atë intensitet. Kemi aktivitete shtesë me Ministrinë e Sportit, me të cilën do të punojmë dhe do të funksionojmë bashkarisht. Dhe kemi diskutime shumë serioze me ministrin e kulturës, me qëllim që të lidhet arsimi me kulturën”, tha Janevska.

 Ajo bëri të ditur se shumë shpejt do të miratohen ligje të reja, ndër të cilët edhe Ligji për tekstet shkollore.

“Ju tashmë njihni pesë ligje të reja, tani po shtojmë një ligj të gjashtë të ri, Ligjin për tekstet shkollore, pasuar me akte të reja nënligjore shtesë, koncepte të reja dhe ndoshta edhe tekste të reja shkollore, në varësi të asaj që do të thonë nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit dhe Qendra e Arsimit Profesional. Ndodh që kemi një tekst shkollor 20 faqesh, me dhjetëra faqe fotografish me tema shumë të ngjashme. Gjithçka që kemi miratuar, e kemi përdorur në maksimum dhe e kemi printuar në maksimum, shtoi ministrja.

 

Ajo pohoi se nuk ka libra shkollorë për lëndë të caktuara në vitet e treta dhe të katërta të shkollave të mesme profesionale, por siç nënvizoi ajo, nëse miratohen, atëherë do të shtypen.

"Nëse nuk miratohen, do të mendojmë për mundësi të tjera për sigurimin e teksteve shkollore", tha Janevska.

Sipas Janevskës, është jashtëzakonisht e rëndësishme që shteti të ketë sa më pak ndryshime politike në arsim.

“Maqedonia ka nevojë për një deklaratë në të cilën të gjithë aktorët politikë do të pajtohen se ndryshimet janë të nevojshme, por në një përqindje të vogël të përshtatshme për nevojat, dhe jo sipas ideve të qeverive apo politikave të caktuara. Këtu do të vendosim kriteret dhe parimet sipas të cilave arsimi do të zhvillohet në një periudhë afatmesme, mundësisht afatgjatë”, shtoi ministrja.

 

 

Ajo përkujtoi këtu edhe rritjen e pagave të mësuesve, që, sipas ministres, paraqet një kontribut serioz në arsim.

Ministri i Sportit, Borko Ristovski, në prezantimin e tij tha se po fokusohen në kthimin e besimit në institucionin e Ministrisë së Sportit. Ai përmendi se ofrojnë fonde financiare dhe ndihmë për klube, federata dhe individë, si dhe kanë hapur një projekt të ri me titull "Mbështetje për sportin e lartë".

“Bëmë një zgjim të plotë të institucioneve dhe të punonjësve, një analizë të plotë të gjithçkaje që është bërë. Kemi hapur një projekt të ri “Mbështetje për sportin e lartë”. Me “sportin e lartë” nënkuptojmë të gjitha ato ekipe dhe individë që garojnë në skenën ndërkombëtare dhe kanë marrë ndihmë shtesë prej 84 milionë denarë. Gjatë javës do t'i paguajmë 550 milionë denarë të papaguara nga shteti për klubet, federatat dhe individët që nuk janë paguar nga qeveria e kaluar”, tha Ristovski.

  Ai bëri të ditur se deri në fund të vitit do të hapet një tjetër program i ri, i cili do të nënkuptojë zhvillimin e sportit të femrave, zhvillimin dhe mbështetjen e talenteve të reja.

“Do ta mbyllim këtë sezon me një shumë serioze fondesh, që kapin shifrën 14 milionë euro. Deri në fund të vitit fiskal do të kalojnë rreth gjashtë muaj. Kjo do të thotë se Qeveria dhe Ministria e Sportit do të ndajnë rreth 14 milionë euro në sport për më pak se gjashtë muaj, që ishte një emër imagjinar për qeverinë e kaluar”, shtoi Ristovski.

Ai theksoi se fokusi i Ministrisë së Sportit është edhe tek investimet kapitale. Siç tha ai, deri në fund të vitit 2024 do të fillojnë tetë objekte kapitale, disa janë të reja, e disa janë rikonstruksion i objekteve të rëndësishme për sportin.

Ndër to, siç tha ai, është renovimi i sallës sportive Rasadnik, hapja e pistës së re atletike në Gjevgjeli, si dhe renovimi i sallës sportive në Novosellë.

Foto: Qeveria

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR