• e shtunë, 23 nëntor 2024

Petrovska - Tilvar: Maqedonia e Veriut është kontribues për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, do të jetë mik i besueshëm edhe i BE-së

Petrovska - Tilvar: Maqedonia e Veriut është kontribues për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, do të jetë mik i besueshëm edhe i BE-së

Shkup, 25 prill 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska priti sot në Ministrinë e Mbrojtjes me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake delegacionin nga Rumania të kryesuar nga ministri i mbrojtjes kombëtare Angel Tilvar, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare njëditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në takimin e sotëm dypalësh mes dy delegacioneve, u theksua se takime të tilla janë shumë të rëndësishme, veçanërisht për shkak të situatës së sigurisë në Evropë, ku shkënbehen ide dhe diskutohen hapat e ardhshëm. 

Ministrja Petrovska, kumtoi MM, theksoi se politika e jashtme rumune është shumë e përgjegjshme dhe e përkushtuar ndaj paqes dhe bashkëpunimit dhe falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të vendit tonë në rrugën drejt BE-së.

Duke e informuar për modernizimin e ushtrisë dhe reformat në mbrojtje, ministrja Petrovska tha se Maqedonia e Veriut si edhe më parë do të vazhdojë të kontribuojë me pjesëmarrjen e saj aktive në promovimin e paqes dhe sigurisë dhe si aleate e NATO-s, veçanërisht në forcimin e kufirit lindor të Aleancës. 

"Misioni i NATO-s eVA (enhanced Vigilance Activities) në Rumani dhe Bullgari – nuk janë vetëm vendime politike, është shumë e rëndësishme për ne që me operacione reale të tregojmë se jemi pjesë e NATO-s”, theksoi Petrovska.

Në këtë kontekst, ministri rumun Tilvar shprehu mirënjohjen për kontributin e Maqedonisë së Veriut në misionin eVA të NATO-s.

"Mbështetja juaj në eVA nuk është vetëm një vendim politik, por tregon përkushtimin tuaj për mbrojtjen e botës së lirë. NATO mori vendimin e duhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë, sepse ju e keni provuar veten si miq të mirë“, tha ministri rumun.

Ai shtoi se pikërisht në këto kohë krize, Bashkimi Evropian nuk duhet ta lëjë anash integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe theksoi rëndësinë e rajonit të Detit të Zi për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. 

"Ju keni dëshmuar në NATO se jeni një mik i besueshëm, jeni një kontribues për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, do të jeni një mik i besueshëm edhe i Bashkimit Evropian”, theksoi Tilvar.

Të dy ministrat thanë se Plani për Bashkëpunimin Dypalësh në Mbrojtje tashmë i nënshkruar, i cili përmban 17 aktivitete të përbashkëta, është një tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer.

Në kuadër të vizitës së sotme zyrtare, ministri Tilvar do të ketë takim me komandantin e përgjithshëm, presidentin Stevo Pendarovski dhe do të vizitojë Qendrën për Trajnimin e Pilotëve në kazermën “Strasho Pinxhur” në Petrovec. bsh/

Foto: Ministria e Mbrojtjes

QËNDRONI TË LIDHUR