• e hënë, 23 dhjetor 2024

Petrovska tërheq kandidaturën për kryetar të LSDM-së

Petrovska tërheq kandidaturën për kryetar të LSDM-së

Shkup, 29 qershor 2024 (MIA) - Kandidatja për kryetare të LSDM-së, Sllavjanka Petrovska tërhiqet nga kandidatura një ditë para zgjedhjeve të brendshme në këtë parti. Përmes një letre zyrtare drejtuar Komisionit qendror të zgjedhjeve për zgjedhjen e të parit në LSDM, Petrovska thotë se dëshiron ta mbrojë LSDM-në nga zgjedhja jolegjitime e kryetarit dhe kërkon që emri i saj të mos figurojë në fletëvotim.

"Duke dashur ta mbroj LSDM-në nga zgjedhja jolegjitime e kryetarit dhe për të mos qenë bashkëpjesëmarrëse në shkeljen e statutit ju njoftoj se po tërhiqem nga kandidatura ime për kryetar të LSDM-së. Me faktin se ky proces për mua është i papranueshëm, kërkoj që emri im të mos figurojë në fletëvotim me qëllim votuesit të mos vihen në huti", shkruan Petrovska.

Në letër thuhet se krahas asaj se në takimin me përfaqësues të KQZ-së ka përmendur parregullsi të shumta, megjithatë ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje që hedh poshtë pretendimet e saj.

"Dje në takimin e mbajtur në hapësirat e LSDM-së me përfaqësues të KQZ-së, informova për vërejtjet serioze lidhur me saktësinë dhe legjitimitetin e Listës zgjedhore, keqpërdorimin e të dhënave personale të mijëra anëtarëve të LSDM-së që vazhdoi edhe sot, por për fat të keq nuk mora përgjigje që hedh poshtë këto pretendime. Si socialdemokrat besoj në sinqeritetin me të cilin duhet t'u drejtohemi shokëve dhe shoqeve tona dhe prandaj të gjitha këto dyshime prishin legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve si dhe rezultatin", thekson Petrovska.

Petrovska në deklaratën për media dje u bëri thirrje tre kandidatëve të tjerë që të anulohet votimi brendapartiak për zgjedhjen e kryetarit të partisë, sepse siç tha ajo, procesi zgjedhor ka qenë i padrejtë, pra një nga kundërkandidatët ka pasur qasje në bazën e të dhënave dhe ka keqpërdorur të dhënat personale të anëtarëve të partisë. Ajo poashtu tha se ka marrë informacione se një numër i caktuar i votuesve janë paraqitur në organizata të caktuara komunale të cilët nuk kanë kërkuar të regjistrohen, pra, siç tha ajo, "dikush i ka regjistruar në emër të tyre".

Në garën për lider të ri në LSDM mbeten ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe, drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski si dhe ish zëvendësministri në MSHIA, Aleksandar Bajdevski.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR