• e diel, 22 dhjetor 2024

Petrovska - Rubin: Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja së bashku në luftën kundër dezinformimit

Petrovska - Rubin: Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja së bashku në luftën kundër dezinformimit

 

Shkup, 11 prill 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska sot është takuar me të dërguarin special dhe koordinator të Qendrës për angazhim global të Departamentit shtetëror amerikan, Xhejms Rubin, me të cilin ka biseduar për ndikimin e dëmshëm të dezinformatave, veçanërisht duke marrë parasysh situatën e sigurisë në rajon dhe agresionin rus kundër Ukrainës, si dhe mënyrën se si Departamenti i Mbrojtjes po zhvillon aftësitë e tij dezinformuese.

"Kërcënimet hibride, përfshirë dezinformimin, synojnë të ulin elasticitetin tonë shoqëror dhe të shkaktojnë ndarje të brendshme dhe mosbesim të qytetarëve në institucionet dhe efikasitetin e tyre. Prandaj duhet të kemi një qasje të përbashkët që bashkon përpjekjet e të gjithë aktorëve të shoqërisë për përballimin e kësaj sfide", theksoi ministrja.

Në takim, siç njoftuan nga Ministria e Mbrojtjes, Petrovska përshëndeti hapjen e Qendrës për Angazhim Global për bashkëpunim të ngushtë me institucionet në Maqedoninë e Veriut.

Petrovska tha se niveli i shtuar i dezinformatave në lidhje me mbështetjen që Maqedonia e Veriut ofron për mbrojtjen e Ukrainës është qartë i dukshëm, ashtu siç ishte evident edhe në lidhje me anëtarësimin e plotë në NATO.

Sa i përket kapaciteteve institucionale të Ministrisë, ministrja theksoi se mbrojtja punon në vazhdimësi dhe sistematikisht në zhvillimin e kapaciteteve për përballimin e dezinformatave dhe se ka progres të dukshëm në organizimin e sistemit.

"Ministria është lider për sa i përket transparencës aktive, sepse në këtë mënyrë mediat, përmes aksesit në të gjitha informacionet, në mënyrë të pavarur mund të perceptojnë dhe përcjellin të vërtetën. Jemi të vetëdijshëm për dëmshmërinë e dezinformatave dhe prandaj jam e kënaqur që me përpjekje të përbashkëta do të gjejmë zgjidhje për këtë sfidë serioze, tha Petrovska në takimin me Rubin.

I dërguari special Xhejms Rubin përshëndeti përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për të zhvilluar kapacitetet për t'u marrë me dezinformimin dhe shprehu gatishmërinë e Qendrës për Angazhim Global të Departamentit shtetëror amerikan për të mbështetur vendin tonë me ekspertizë teknike dhe përvojë. Ai shtoi se revolucioni i informacionit dhe dixhital duhet t'i shërbejë qëllimit të përhapjes së demokracisë dhe të vërtetës dhe jo të keqpërdoret për të minuar demokracinë dhe sigurinë globale.

"Qasja dhe bashkëpunimi i përbashkët është mënyra më e mirë për të kundërshtuar me sukses kërcënimet në hapësirën e informacionit, theksoi Rubin.

Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, në takim u diskutua edhe për zhvillimin e Qendrës Rajonale për Marrëdhëniet me Publikun, e cila është Qendër Partnere e NATO-s dhe është në proces të akreditimit institucional nga Aleanca dhe do të funksionojë si Shkollë për Marrëdhëniet e NATO-s me publikun. ls/

Foto: Ministria e Mbrojtjes 

QËNDRONI TË LIDHUR