• e hënë, 23 dhjetor 2024

Petliçkovski për MIA-n: Komisioni për sëmundje infektive me gjasë do të mblidhet javën e ardhshme, situata nuk është shqetësuese

Petliçkovski për MIA-n: Komisioni për sëmundje infektive me gjasë do të mblidhet javën e ardhshme, situata nuk është shqetësuese

Shkup, 11 janar 2024 (MIA) - Komisioni për sëmundje infektive me gjasë do të mblidhet javën e ardhshme, por nuk ka asgjë alarmante për kollën e mirë, kovidin dhe gripin, deklaroi për MIA-n kryetari i Komisionit, Aleksandar Petliçkovski.

Sa i përket kollës së mirë më së shumti janë të prekur foshnjat deri në një vjeç dhe fëmijë dhe të rinj nga 10 deri në 20 vjeç, por nuk përjashtohet që të sëmuren edhe të rriturit.

"Nuk përjashtohet, sipas OBSH-së që në katër deri në pesë vjet të jetë piku i shfaqjes së kollës së mirë edhe te personat e moshuar", informon Petliçkovski.

Nga dy rastet e regjistruara në vend, njëri ka qenë një vajzë 29-vjeçare, shtetase e huaj, me gjasë nga këtu e sëmurë dhe e diagnostikuar jashtë vendit dhe pas arritjes në vend ka filluar trajtimin, ndërsa me terapi parandaluese është filluar edhe me të afërmit e saj. Rasti tjetër ka qenë një fëmijë i pavaksinuar i cili tani po trajtohet në Klinikën e fëmijëve në “Kozle”.

"Gjendja nuk është shqetësuese. Kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme apo dramatike, ndër vite kemi pasur nga zero deri në dyzet raste në pesë vitet e fundit. Vitin e kaluar kemi pasur tre raste. Në vitet e kaluara nuk kemi pasur epidemi", ka thënë Petliçkovski, duke shtuar se në rajon ka pasur shumë më tepër raste.

"Bëhet fjalë për takim të rregullt dhe për një pasqyrë të situatës dhe do të shihet nëse duhet të merren masa të reja”, thotë Petliçkovski.

Sipas Petliçkovskit, vaksinimi është mbrojtja më e sigurt dhe më efektive kundër kollës së mirë dhe të gjitha sëmundjeve të tjera për të cilat ekzistojnë vaksina.

Lidhur me gripin sezonal, Petliçkovski tha se numri i të sëmurëve është rritur relativisht në krahasim me vitin e kaluar.

"Por këto janë shifra të pritshme. Nuk është asgjë shqetësuese dhe e papritur. Një fillim tipik i sezonit të gripit. Në fund të shkurtit pritet piku, maksimumi i shpeshtimit të gripit dhe sëmundje të ngjashme të gripit", thekson Petliçkovski për MIA-n.

Ai shton se nuk duhet të kenë ndonjë shqetësim të veçantë te njerëzit kur bëhet fjalë për Kovid-19. Javën e fundit ka pasur njëmbëdhjetë për qind teste pozitive. Kjo, shton ai, nuk është një përqindje e madhe. Rekomandimet janë që të moshuarit të kenë kujdes, por edhe ata me sëmundje kronike të vaksinohen kundër gripit dhe kovidit.

"Si Komision, në dy mbledhjet e fundit kemi sjellë propozim-rekomandim deri në Ministrinë e Shëndetësisë për vendosjen e rekomandimit për mbajtjen e maskave mbrojtëse në objekte shëndetësore dhe barnatore. Që të ketë peshë ai rekomandim dhe të jetë i detyrueshëm, duhet të kalojë përmes Shtabit kryesor të krizave në Qeveri. Pra ende nuk kemi marrë përgjigje. Pra, Komisioni rekomandon në përputhje me rekomandimet në botë", sqaron Petliçkovski në deklaratën për MIA-n.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR