• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Petliçkovski: Nuk ka vend për panik për ethet hemorragjike krimea kongo

Petliçkovski: Nuk ka vend për panik për ethet hemorragjike krimea kongo

Shkup, 15 gusht 2023 (MIA) - Nuk ka vend për panik, nuk është absolutisht as i nevojshëm dhe as produktiv në asnjë mënyrë, tha kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Aleksandar Petliçkovski, në lidhje me ethet hemorragjike krimea kongo nga të cilat në vend janë regjistruar tre raste.

Pas takimit të iniciuar nga ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në të cilin përveç anëtarëve të Komisionit për Sëmundje Infektive, morën pjesë edhe përfaqësues nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare dhe Qendrat e Shëndetit Publik nga Shtipi dhe Velesi, Petliçkovski informoi se bëhet fjalë për një sëmundje për të cilën si shtet konsiderohemi si zonë endemike ndërsa konkluzionet e Komisionit, siç tha ai, janë në drejtim të masave parandaluese.

"Informimi i popullatës dhe punonjësve shëndetësorë se si fitohet sëmundja, mendim për këtë sëmundje kur ka raste të dyshimta dhe procesim i shpejtë, gjegjësisht dërgimi i rasteve të dyshimta në institucione, gjegjësisht në departamentet e patologjisë infektive ose në Klinikën Infektive", tha Petliçkovski. 

Teste për këtë sëmundje, siç tha, aktualisht ka mjaftueshëm, ndërsa sasitë shtesë janë porositur dhe pritet të arrijnë.

"Edhe terapia që ka ndonjë efekt është në dispozicion, që do të thotë se për aq sa mund të përgatitet një vend për një sëmundje të tillë endemike, ne jemi të përgatitur", theksoi Petliçkovski.

Ai theksoi se kjo sëmundje nuk transmetohet lehtë, ndërsa transmetimi bëhet ekskluzivisht nga pickimi i rriqrës së infektuar me virus.

"Rriqra ka sidomos në muajt e verës, ndërsa ngrohja globale gjithashtu kontribuon në aktivitetin më intensiv të tyre. Megjithatë, jo çdo rriqër është i infektuar me një virus. Pra, njerëzve nuk u ndalohet të dalin në hapësira të hapura, por kur dalin duhet të kenë kujdes dhe të jenë të mbrojtur", theksoi Petliçkovski.

Sipas tij, më të ekspozuar ndaj këtij rreziku janë peshkatarët, gjuetarët dhe barinjtë, si dhe punonjësit e shëndetësisë për shkak të kontaktit me sekrecionet trupore nga të infektuarit.

Gjendja e pacientëve të infektuar me virus, siç informon Petliçkovski, është e mirë.

"Infermierja është në gjendje shumë të mirë. Për të kriza ka përfunduar dhe pritet një rikuperim i plotë. Pacienti i tretë, peshkatari nga Velesi, për momentin është në gjendje të mirë, por kanë mbetur edhe pak ditë në të cilat mund të ndodhë ndryshimet. Shpresoj që të mos vijë deri te kjo, dhe përsëri nëse përkeqësohet, terapia është këtu. Pra, shpresojmë në zhvillim të mirë edhe këtu", tha Petliçkovski.

Morbiditeti i sëmundjes, siç tha, është i rëndë, por gjithashtu theksoi se ka lloje të ndryshme të virusit, disa prej të cilëve shoqërohen me vdekshmëri të lartë e disa me vdekshmëri të ulët.

Komisioni kërkon gjithashtu organizimin e një plani veprimi në të cilin do të bëhet një vlerësim i prevalencës së konstatimit, përkatësisht sa shpesh gjenden këto rriqra në rajone të ndryshme, pas së cilës duhet të pasohet dezinfektimi, i cili konsiderohet si një masë parandaluese ​​kyçe për të reduktuar rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje.

Në lidhje me rezultatet e analizave të rriqrave të kapur, ai tha se ende nuk kanë rezultate, por presin që ajo masë të zbatohet në dy-tre javët e ardhshme për të marrë një numër përfaqësues, përkatësisht sa më shumë rriqra të kapur, në mënyrë që të mund të identifikojnë nëse janë të infektuar me virusin. ls/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR