• e hënë, 23 dhjetor 2024

Petkovska: Gazetaria po e humb vlerën e saj si kujdestare e interesit publik, të gjithë duhet të punojnë së bashku për ta ruajtur atë

Petkovska: Gazetaria po e humb vlerën e saj si kujdestare e interesit publik, të gjithë duhet të punojnë së bashku për ta ruajtur atë

Shkup, 24 tetor 2023 (MIA) - Kemi arritur deri në një hap qytetërues kur gazetaria e humb vlerën e saj si kujdestare e interesit publik dhe asaj që ne e njohim si formë klasike të interpretimit. Problemi është i shumëanshëm dhe global dhe si mjedis mediatik jemi nën ndikim të ndryshimeve të përgjithshme që prekin këtë profesion, deklaroi Biljana Petkovska, drejtoreshë e Institutit maqedonas për media (IMM), duke iu përgjigjur pyetjes se cila është arsyeja e interesit të dobët për studimin e gazetarisë dhe rënies së numrit të të regjistruarve në vitet e fundit.

"Nga aspekti ekonomik rezulton se sot është më mirë të jesh influenser sesa gazetar dhe të shesësh gjithçka për të cilën merr mbështetje financiare, për dallim nga gazetaria, që gjithmonë ballafaqohet me sfida dhe vështirësi", tha Petkovska.

Në deklaratë për medat, pas hapjes së Ditëve të pesta të edukimit mediatik, ajo vuri në dukje rëndësinë e jashtëzakonshme që ka gazetaria për një shoqëri që të ketë qytetarët të edukuar mediatik dhe theksoi se të gjithë duhet të punojnë së bashku për ruajtjen e gazetarisë.

"Kjo është një e mirë publike që mbron interesin e çdo individi, të të gjithë qytetarëve, prandaj në programin e edukimit mediatik që ne ligjërojmë dhe që është pjesë e programit mësimor, e theksojmë veçanërisht aspektin që fëmijët të njohin vlerën e gazetarisë dhe pse ata vetë duhet ta mbështesin atë në çdo formë të mundshme. Sepse vetëm qytetarët mund ta ruajnë dhe ta shpëtojnë gazetarinë", theksoi drejtoresha e IMM-së. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR