• e martë, 24 dhjetor 2024

Peshev: Marketet nuk patën kohë të mjaftueshme të "riorganizohen", mbyllja duhet të jetë masa e fundit që aplikojnë institucionet

Peshev: Marketet nuk patën kohë të mjaftueshme të

Shkup, 25 shtator 2023 (MIA) - Masa është shumë e rreptë, drakonike, e panevojshme, shkakton dëme dhe duhet të jetë diçka e fundit që institucionet janë munduar të gjejnë zgjidhje. Ka qenë shumë e shkurtër koha për të cilën marketet mund të “riorganizohen” sa i takon uljes së çmimeve, aq më tepër që bëhet fjalë për rreth 1200 artikuj, deklaroi sot drejtori ekzekutiv i Odës ekonomike, Antoni Peshev duke komentuar mbylljen e djeshme të shumicës së zinxhirëve të marketeve në Shkup dhe Strugë.

Sipas Peshevit, mbyllja nuk i sjell dobi askujt, sidomos jo tani kur çmimet janë ulur.

Ai pret që sot të zgjidhet problemi dhe marketet të fillojnë përsëri punën.

“Kam marrë pjesë në dy takimet në ministri si me rrjetet e mëdha të supermarketeve ashtu edhe me distributorët. U shpreh gatishmëri për të mbështetur iniciativën për të reduktuar me dhjetë për qind atë klasë të produkteve të rëndësishme për ministrinë. Ndoshta ka disa lëshime, por në komunikim të drejtpërdrejtë me ministrin, shpresoj që edhe sot të kemi komunikime të drejtpërdrejta pas takimit koordinues me rrjetet e supermarketeve, do të përpiqemi që problemin ta vendosim në një kohë logjike që do t'u jepet marketeve për t'ju përshtatur masës. Nuk mendoj se dikush e ka bërë me qëllim dhe nuk duhet të keqpërdoret. Edhe pse flitet për 75 klasa artikujsh, çmimi është dashur të ndryshohet në 1.200. Masa është drakonike, e panevojshme dhe shkakton dëme, ndërsa ministria ka mundësi të mbyllë objektet, ndoshta ka. Kjo duhet të jetë masa e fundit të cilën duhet ta zgjedh ministria”, tha Peshev duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve para konferencës “Të bësh biznes me BE-në – si të arrihet një bashkëpunim tregtar më intensiv ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë”.

Nuk është mirë, theksoi ai, që supermarketet të qëndrojnë të mbyllura.

“Shpresoj se me një dialog bashkëpunues gjatë ditës të gjejmë mënyrë që të paktën objektet të fillojnë punën dhe të merremi vesh për dinamikën në të cilën do të korrigjohen mangësitë që u konstatuan përfundimisht. Nuk kam të dhëna të drejtpërdrejta për arsyet e mbylljes së supermarketeve, shpresoj të kemi informacion. Ne punojmë në mënyrë dinamike, kemi qenë në komunikim edhe dje, të dielën, do të jemi në komunikim edhe sot. Nuk është mirë që supermarketet të qëndrojnë të mbyllura. Nuk i sjell dobi askujt, sidomos tani që çmimet janë ulur”, nënvizon drejtori ekzekutiv i Odës.

Drejtori ekzekutiv mohon se mbi 90 për qind e zgjidhjeve që ka sjellë Qeveria janë propozime nga Odat ekonomike, siç tha të enjten ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Pardje, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se janë gjobitur dhe mbyllur disa zinxhirë të marketeve të mëdha në Shkup (Çair, Taftalixhe, Kisella Vodë dhe Butel) dhe Strugë. Trajkovski tha se të gjithë duhet t'i respektojnë ligjet dhe vendimet e Qeverisë dhe se nuk do të lejojë askënd që të manipulojë dhe mashtrojë konsumatorët. Drejtori i ISHT-së apelon tek të gjithë tregtarët se nuk do të ketë asnjë kompromis apo selektim kur janë në pyetje interesat e qytetarëve.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR