Pesëmbëdhjetë vende bëjnë thirrje për njohje të shtetit të Palestinës
- Pesëmbëdhjetë vende perëndimore u bëjnë thirrje vendeve të tjera ta shprehin gatishmërinë e tyre për ta njohur shtetin palestinez, deklaroi ministri francez i Punëve të Jashtme, Zhan-Noel Baro.
- Post By Arta Bunjaku
- 12:08, 30 korrik, 2025
Nju-Jork, 30 korrik 2025 (MIA) - Pesëmbëdhjetë vende perëndimore u bëjnë thirrje vendeve të tjera ta shprehin gatishmërinë e tyre për ta njohur shtetin palestinez, deklaroi ministri francez i Punëve të Jashtme, Zhan-Noel Baro.
"Franca dhe 14 vende të tjera perëndimore - Kanadaja, Australia, Finlanda, Islanda, Irlanda, Luksemburgu, malta, Zelanda e Re, Norvegjia, Portugalia, San Marino, Sllovenia, Spanja dhe Andorra - bashkarisht e shprehin vullnetin e vet për ta njohur shtetin palestinez dhe u bëjnë thirrje të gjithëve të cilët nuk e kanë bërë atë, t'u bashkangjiten", tha Baro.
Thirrja u bë në Nju-Jork, ku përfundoi konferenca ministrore e organizuar nga Kombet e bashkuara dhe iu kushtua zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez me dy shtete.
Nëntë nga vendet të cilat tani iu bashkuan thirrjes së përgjithshme ende nuk e kanë njohur shtetin palestinez: Andorra, Australia, Kanadaja, Finlanda, Luksemburgu, Malta, Zelanda e Re, Portugalia dhe San Marino. Ata e shprehën dëshirën e tyre apo janë të vetëdijshëm për qëndrimin pozitiv të qeverive të tyre për ta njohur shtetin palestinez.
Kryeministri britanik, Kir Starmer dje kumtoi se Mbretëria e Bashkuar do ta njohë Palestinën nëse Izraeli nuk ndërmerr masa të caktuara.
Të enjten e kaluar, presidenti francez, Emanuel Makron kumtoi se vendi i tij zyrtarisht do ta njohë shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të KB-së në shtator.
Gjatë konferencës së mbajtur në Nju-Jork, disa vende arabe, përfshirë edhe Arabinë Saudite, katarin dhe Egjiptin i bënë thirrje Hamasit t'ia dorëzojë armët Administratës palestineze. ab/
foto: ЕPА arkivi