• e hënë, 23 dhjetor 2024

Pesëdhjetë vjet nga pushtimi turk i Qipros, Micotakis dhe Erdogan në ishull, por në pjesë të ndryshme

Pesëdhjetë vjet nga pushtimi turk i Qipros, Micotakis dhe Erdogan në ishull, por në pjesë të ndryshme

Athinë, 20 korrik 2024 (MIA) - Sot shënohet 50 vjetori i pushtimit turk të Qipros, më 20 korrik të vitit 1974, ditë që tradicionalisht shënohet në ishull - në pjesën veriore me festë dhe praninë e presidenti turk, në pjesën jugore, në Republikën e Qipros për të përkujtuar përvjetorin e zi në prani të presidentit qipriot dhe kryeministrit grek, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në Pallatin Presidencial në Nikozia, Presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Hristodolidis, sonte do të jetë nikoqir i një aktiviteti ku do t'i drejtohet të pranishmëve dhe kryeministrit grek Kirjakos Micotakis, i cili është edhe kryeministri i parë i Greqisë që merr pjesë në përvjetorin e ndarjes së ishullit.

Në Qipro nga dita e djeshme janë edhe liderët e SYRIZËS dhe PASOK, Stefanos Kaseladikis dhe Nikos Andrulakis të cilët në ngjarje të veçanta morën pjesë në manifestimet në Nikozia.

Presidenti qipriot në një deklaratë për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA iu referua "përvjetorit të zi të grusht shtetit të pabesë dhe pushtimit barbar turk", duke vënë në dukje se ajo që po ndodh tani në Ukrainë, "ku komuniteti ndërkombëtar po reagon me të drejtë, ndodhi në Qipron Evropiane 50 vjet më parë", e cila vazhdon shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.

Ai shpjegoi se është duke u nisur një nismë e re e Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së për të rifilluar bisedimet nga ku u ndërprenë në verën e vitit 2017, duke theksuar se po bëjnë gjithçka që është e mundur për të krijuar kushte për vazhdimin e bisedimeve dhe për të gjetur një zgjidhje që do t'i japë fund pushtimit".

Nga ana tjetër, në Republikën e vetëshpallur Turke të Qipros Veriore, e njohur vetëm nga Ankaraja, është planifikuar një festë "për 50 vjetorin e operacionit paqeruajtës të Qipros", ku do të marrë pjesë edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. 

Ministria turke e Mbrojtjes ka postuar një video njoftim në Platformën X për "50-vjetorin e operacionit të lumtur të paqes", dhe postimin e kanë nisur me një varg nga kënga "Mos më quaj kaq të dashur. "Mund të vij papritur një mbrëmje".

Në të njëjtën kohë ata thirrën të gjithë "vëllezërit dhe motrat nga Qiproja" në paradën që do të mbahet me pjesëmarrjen e 50 anijeve turke.

Lideri qipriot turk Ersin Tatar tha për Bi-Bi-Si se sot është një përvjetor i rëndësishëm për ta, sepse 50 vjet më parë u krye një "operacion paqeje" dhe Turqia "ndërhyri për të mbrojtur turqit qipriotë, të cilët ishin në prag të shfarosjes".

Në të njëjtën kohë, siç raportojnë mediat në Turqi, Parlamenti turk miratoi një rezolutë me rastin e "50 vjetorit të operacionit të paqes në Qipro", sipas së cilës, "nuk mund të vonohet më marrja e vendit të ligjshëm të Qipros Veriore si një anëtar i pavarur dhe sovran i bashkësisë ndërkombëtare".

Më 20 korrik të vitit 1974, në përgjigje të grusht shtetit qipriot të mbështetur nga junta greke pesë ditë më parë, i cili synonte bashkimin e vendit me Greqinë, trupat turke pushtuan pjesën veriore të ishullit, pra 36 për qind.

Ishulli që atëherë është ndarë midis Republikës së Qipros, një vend anëtar i BE-së që nga viti 2004, i qeverisur nga grekët qipriotë, dhe Republikës së vetëshpallur Turke të Qipros Veriore, e shpallur e pavarur në vitin 1983 dhe e njohur vetëm nga Turqia. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR