• e premte, 05 dhjetor 2025

Perinski: Komunat humbin çdo vit nga 100 deri në 120 milionë eruo për shkak të mbledhjes jo adekuate të mjeteve nga burimet e tyre të financimit

Perinski: Komunat humbin çdo vit nga 100 deri në 120 milionë eruo për shkak të mbledhjes jo adekuate të mjeteve nga burimet e tyre të financimit

Shkup, 24 qershor 2025 (MIA) - Komunat në bazë vjetore humbin nga 100 deri në 120 milionë euro, për shkak të mbledhjes jo adekuate të të ardhurave nga burimet e tyre të financimit, deklaroi sot ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinsi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se kur do të ketë decentralizim të plotë të komunave, veçanërisht në aspektin financiar. Ai theksoi se pushteti qendror po punon në procesin e digjitalizimit të shërbimeve në nivel lokal, me qëllim që të rritet edhe efikasiteti gjatë pagesës dhe në këtë mënyrë edhe vetë decentralizimi.

"Një gjë është të flasim për decentralizimin e kompetencave, ndërsa tjetër është kur flasim për decentralizimin fiskal, tani do ta vendosim fokusin te decentralizimi fiskal, pasi pyetja juaj kryesisht i referohej asaj pjese. Si temë, asnjëherë nuk do ta mbyllim. Procesi i decentralizimit fiskal ka fillim, por nuk ka fund. Dhe gjithmonë duhet të diskutohet në mënyrë të argumentuar me të dyja palët e pushtetit edhe në nivel lokal, edhe në nivel qendror. Ajo që për momentin ne e kemi përcaktuar si anomali është fakti se aktualisht mesatarja e mbledhjes së të ardhurave nga burimet e tyre të financimit nga ana e vetëqeverisjeve lokale është pak më shumë se 50 për qind. Ose të jem më i saktë. Në bazë vjetore, komunat humbin nga 100 deri në 120 milionë euro, sepse nuk i mbledhin në mënyrë të duhur burimet e tyre të financimit", theksoi Perinski në panel diskutimin me rastin e një vjetorit të Qeverisë, të titulluar "Ndërtojmë themelet e ndryshimeve. Për kohën tënde që po vjen."

Aspekti i dytë, siç theksoi Perinski, është se për shkak të mungesës së potencialit të mjaftueshëm financiar, komunat nuk mund të realizojnë aktivitetet brenda kompetencave të tyre, të cilat janë rezultat i decentralizimit më të madh.

Ai theksoi se paralelisht me këto dy procese, nga niveli qendror po përditësohet baza e tatimpaguesve në nivel lokal, me qëllim që komunat të kenë një bazë të përditësuar të tatimpaguesve dhe që pagesa e tatimit të bëhet në mënyrë elektronike, ndërsa me gjithë këtë, siç tha, "do të parandalohet subjektiviteti i kryetarit të komunës, se kur dhe kujt do t’i nxjerr vendim tatimor ose kur dhe kujt nuk do t’i nxjerrë vendim tatimor".

Ai shtoi se aktualisht ka shembuj të kryetarëve të komunave shumë të suksesshëm, të cilët mbledhin 100 për qind nga burimet e tyre të financimit, por ka edhe kryetarë komunash që nëntë, dhjetë vite nuk kanë nxjerrë asnjë vendim tatimor. qa/sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR