Perinski: BDI dhe LSDM t'i kapërcejnë kotësitë dhe t'i mbështesin ndryshimet e Ligjit për vetëqeverisje lokale
- Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski sot sërish dërgoi apel për opozitën t'i mbështesë ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, që kaluan edhe leximin e dytë të Kuvendit, ndërsa për të cilat nevojitet shumica e Badenterit.
- Post By Sara Ademi
- 12:28, 4 korrik, 2025
Shkup, 4 korrik 2025 (MIA) - Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski sot sërish dërgoi apel për opozitën t'i mbështesë ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, që kaluan edhe leximin e dytë të Kuvendit, ndërsa për të cilat nevojitet shumica e Badenterit.
Në llogaridhënien për punën e realizuar gjatë vitit të parë të mandatit, Perinski numëroi se është përfunduar Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për vetëqeverisjen lokale në pajtim me standardet evropiane dhe Raportin e Komisionit të Venecias nga viti 2019, veçanërisht në pjesën e demokracisë lokale përmes mundësisë për revokim të një kryetari të komunës.
"E kemi përfunduar atë që ishte detyra themelore e Ministrisë, kemi bërë çmos përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës në kuadër të periudhës tetëvjeçare t'i përfshijmë të gjitha palët e interesuara. Në përgjithësi ndryshimet të cilat i kemi përcaktuar kanë të bëjnë me rritjen e proceseve demokratike në kuadër të realizimit të politikave lokale. Për momentin, ligji është në procedurë kuvendore, e kaluam në lexim të dytë dhe në kuadër të seancës kuvendore. Edhe njëherë i dërgoj apel opozitës të udhëhequr nga BDI dhe LSDM t'i kapërcejnë kotësitë e tyre dhe ta mbështesin këtë zgjidhje ligjore, sepse me të vërtetë edhe qytetarëve dhe kryetarëve të komunave do t'u hapë më shumë dyer për aksesueshmëri në pjesën e komunikimit me qytetarët, votuesit dhe do ta japë mekanizmin për revokim të referendumit të kryetarit të komunës që mendoj se është absolutisht e nevojshme", tha Perinski, në pyetjen e gazetarëve.
I pyetur për komentin e mundësive për koalicion që të sigurohet shumica e Badenterit për votim të ligjit ose për zgjedhje të parakohshme parlamentare gjithashtu për shumicë më të madhe që të votohen ligje të tilla, theksoi se koalicioni është stabil, funksionon pa probleme më të mëdha. Ai nuk pret ndonjë debat deri në zgjedhjet lokale duke theksuar se pikërisht zgjedhjet japin ose marrin legjitimitet.
Perinski në llogaridhënie tha se vitin e kaluar kanë filluar investimet e vërteta në infrastrukturën e komunave dhe është vendosur korniza për zhvillim strategjik dhe të barabartë të shtetit. Ai tha se përmes Nënprogramit AA për projekte komunale infrastrukturore komunat kanë aplikuar me rreth 1200 projekte, ndërsa investimi i përgjithshëm është 20 miliardë denarë, që theksoi se paraqet ndarjen më të madhe të mjeteve publike deri më sot për mbështetjen e zhvillimit lokal.
Në kuadër të thirrjes së parë janë miratuar 288 projekte nga fusha e transportit, mjedisit jetësor, arsimit, kulturës, sportit,... ndërsa në thirrjen e dytë e cila përfundoi më 30 prill, arritën 887 aplikime nga 80 komuna për të cilat përfundoi faza e evaluimit.
Përmes Programit për zhvillim të barabartë dhe rajonal në vitin 2024 dhe 2025 kumtoi se janë miratuar 176 projekte të kahëzuara drejt progresit të zhvillimit të rajoneve malore, fshatrave, zonave urbane, si dhe zonave me nevoja zhvillimore specifike.
Perinski njoftoi gjithashtu se është përgatitur një studim fizibiliteti për një qendër burimesh për të mbështetur komunat, për të cilin këtë vit janë planifikuar pesë milionë denarë. Ai vlerësoi se po arrihen rezultate të rëndësishme përmes instrumentit IPA 3, dhe nga programet aktive për bashkëpunim ndërkufitar me vendet fqinje, theksoi se ndërtimi i projektit kufitar Klepalo dhe krijimi i pikës kufitare Markova Noga janë me rëndësi strategjike. sa/
foto: printskrin