• e hënë, 23 dhjetor 2024

Pensionistët e Tetovës në protestë kërkuan rritje lineare të pensioneve

Pensionistët e Tetovës në protestë kërkuan rritje lineare të pensioneve

Tetovë, 13 shtator 2023 (MIA) - Pensionistë nga Tetova sonte prej orës 18 u tubuan në sheshin e qytetit që të shprehin pakënaqësinë dhe të kërkojnë që pushteti t'i rrisë pensionet e ulëta sepse mezi ia dalin.

"Po kërkojmë diçka që na takon. Rritje lineare për të gjithë pensionistët për 3.500 denarë, rritje e pensionit minimal deri në 18 mijë denarë, të kthehet trajtimi në banja i pensionistëve, të vendosen sa më shumë barna në listën pozitive, të mos ketë pjesëmarrje në kontrolle shëndetësore. Thjeshtë, gjëra që me të vërtetë na takojnë", tha Selver Memeti, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve.

Pensionistja Lençe Simovska porositi se të rinjtë duke i parë problemet e më të moshuarve po largohen nga shteti.

"A nuk e sheh qeveria që ne dalim çdo ditë në rrugë dhe kërkojmë shpëtim për jetën tonë dinjitoze. Sot ata thanë se mund të na japin vetëm 6 për qind. Thonë se fondi pensional nuk ka para. Kjo nuk është e vërtetë. Fondi pensional ka para. Pyetja është se ku shkuan ato para. Çdo ditë fëmijët dhe nipërit tanë na shohin duke dalë në këto protesta dhe na pyesin nëse edhe ata do ta përjetojnë këtë. A i pret edhe ata një e ardhme e tillë. Ja pse ata fëmijë po ikin sot në botën e bardhë. Ata nuk po ikin nga ne, po ikin nga sistemi, kanë frikë nga e ardhmja", theksoi Simovska.

Deri më tani, pesë javë me radhë, pensionistët e Tetovës grumbullohen para objektit të Shoqatës së Pensionistëve ku publikisht i theksojnë kërkesat e tyre. Për herë të parë javën e kaluar filluan protesta të natës edhe në sheshin e qytetit. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR