• e shtunë, 23 nëntor 2024

Pelegrini fitues i zgjedhjeve në Sllovaki

Pelegrini fitues i zgjedhjeve në Sllovaki

Bratislavë, 7 prill 2024 (MIA) - Ish kryetari i Parlamentit Peter Pelegrini i cili është kandidat i koalicionit qeveritar për president të Sllovakisë fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, njoftojnë agjencitë botërore duke cituar rezultatet e votimit.

Me rreth 99.8 për qind të votave të numëruara, Pelegrini mori 53.20 për qind kundrejt 46.80 për qind për kundërshtarin e tij proevropian Ivan Korçok, sipas të dhënave të publikuara nga Enti i statistikave.

"Është një kënaqësi e madhe. Dua të jem një president që do të mbrojë interesat kombëtare të Sllovakisë", tha Pelegrini në një fjalimin para mbështetësve të tij.

Pelegrini siguroi se dëshiron të bëjë gjithçka që Sllovakia të mbetet në anën e paqes dhe jo në anën e luftës.

Kandidati presidencial nga opozita sllovake Ivan Korçok pranoi humbjen dhe uroi Pelegrinin për fitoren.

Korçok shprehu gjithashtu shpresën se Pelegrini do të jetë një president i pavarur dhe do të veprojë sipas bindjes së tij dhe pa marrë urdhra nga një tjetër, duke lënë të kuptohet kësisoj mbi lidhjet e ngushta mes presidentit të ardhshëm dhe kryeministrit Fizo.

Korçok akuzoi Pelegrinin për fushatë jotransparente dhe tha: "Duket se njeriu është e mundur të bëhet president i Sllovakisë duke përhapur urrejtje". Ai madje ka qortuar kampin e Pelegrinit që e kanë paraqitur atë gjatë fushatës si një "kandidat ushtarak" që mbështet përfshirjen ushtarake të Sllovakisë në Ukrainë.

Pelegrini është lider i partisë “Zëri – Socialdemokracia”. Ai ka qenë ministër në qeveritë e mëparshme të Fizos. Ai madje e zëvendësoi atë si kryeministër në vitin 2018, pasi Fizo u detyrua të japë dorëheqje pas protestave të shkaktuara nga vrasja e një gazetari investigativ dhe të fejuarës së tij.

Pelegrini do ta marrë zyrtarisht detyrën më 15 qershor.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR