• e diel, 22 dhjetor 2024

Pas takimit me Gutereshin në Samitin e BE-së, u njoftua bashkëpunimi me KB-në për të përballuar sfidat urgjente në botë

Pas takimit me Gutereshin në Samitin e BE-së, u njoftua bashkëpunimi me KB-në për të përballuar sfidat urgjente në botë

Bruksel, 23 mars 2023 (MIA) - Samiti i Bashkimit Evropian filloi sot me një drekë pune me Sekretarin e Përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, ku u diskutua për çështjet kyçe gjeopolitike dhe sfidat globale.

Në takim u theksua veçanërisht domosdoshmëria e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për çështjet kontestuese në botë.

Të dy institucionet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit BE-KB në adresimin e sfidave urgjente globale të kohës sonë dhe angazhimin e tyre të përbashkët ndaj multilateralizmit me Kombet e Bashkuara në thelb të tij, dhe hulumtuan mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë për një botë paqësore, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Guteresh, gjatë mbërritjes në Samit, tha se vizita e tij vjen në një moment vendimtar, kur kemi një stuhi të vërtetë në shumë vende në zhvillim me një kombinim faktorësh që çojnë në situata dramatike. "Në shumë vende të botës ka gjithnjë e më shumë uri, varfëri, më pak arsim, më pak shërbime shëndetësore. Dhe sistemi ynë financiar nuk u jep përgjigje problemeve. Është një sfidë e madhe dhe ne llogarisim në BE-në për t'iu përgjigjur transformimeve që janë të nevojshme", tha ai.

Kërkesa e Gutereshit drejtuar liderëve të BE-së ishte të sigurohej që plehrat rusë dhe bjellorusë të arrijnë në vendet në zhvillim, pavarësisht sanksioneve kundër të dy vendeve. Megjithatë, kjo kundërshtohet nga Lituania, e cila beson se lehtësimi i sanksioneve ndaj plehrave bjelloruse do të ishte një shpëtim për presidentin bjellorus Aleksandar Lukashenko. Lituania ka mbështetjen e Polonisë, Estonisë dhe Letonisë, të cilët janë të bindur se vetëm sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellorusisë mund t'i japin fund luftës në Ukrainë.

Plehrat bjelloruse u sanksionuan në vitin 2021 pasi regjimi i presidentit Aleksandar Lukashenko detyroi një fluturim të Rajaner që transportonte një gazetar opozitar të zbarkonte në Minsk dhe nisi një aksion ndaj kundërshtarëve të tij që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Në takimin me Guteresh u diskutua edhe për Iniciativën e Detit të Zi për grurin.

Udhëheqësit e BE-së dhe Sekretari i Përgjithshëm u përqendruan veçanërisht në financimin e zhvillimit dhe kërkuan reformën e bankave multilaterale të zhvillimit në mënyrë që të forcojnë rolin e tyre në përballjen me sfidat globale dhe bënë thirrje për një fokus të veçantë në zhdukjen e varfërisë.

Udhëheqësit evropianë dhe sekretari i përgjithshëm i KB-së theksuan gjithashtu urgjencën e trajtimit të hendekut në rritje të financimit të ndihmës humanitare dhe mbështetën aksesin tek donatorët e rinj dhe jotradicionalë humanitarë, duke përfshirë institucionet financiare ndërkombëtare, kumtoi Këshilli i BE-së.

Në kumtesë thuhet gjithashtu se përballë krizës së trefishtë planetare të ndryshimit të klimës, ndotjes dhe humbjes së biodiversitetit, udhëheqësit dhe Sekretari i Përgjithshëm theksuan urgjencën e forcimit të reagimit global duke përshpejtuar dekarbonizimin dhe promovimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë.

Ata u bënë thirrje të gjitha palëve, veçanërisht ekonomive të mëdha, të rishikojnë dhe forcojnë kontributet e tyre të përcaktuara në nivel kombëtar në kohë për COP28 në nëntor në Dubai.

Ata vunë në dukje gjithashtu mbështetjen e rëndësishme politike, financiare dhe materiale të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për sistemin e Kombeve të Bashkuara.

Udhëheqësit theksuan nevojën për të modernizuar Kombet e Bashkuara duke futur reforma në qeverisjen globale.

Këshilli shtoi në kumtesë se 27 liderët janë të vendosur të merren me ndikimin global të agresionit rus dhe përsëritën kërkesën që Federata Ruse të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR