• e shtunë, 23 nëntor 2024

Parlamenti slloven e miratoi njohjen e Palestinës

Parlamenti slloven e miratoi njohjen e Palestinës

Lubjana, 5 qershor 2024 (MIA) - Parlamenti slloven mbrëmë e ka miratuar njohjen e pavarësisë së shtetit palestinez, duke hedhur poshtë kërkesën e partisë kryesore opozitare për referendum për këtë çështje, raporton Hina. 

Votimi erdhi pasi Qeveria sllovene javën e kaluar vendosi ta ndjekë Spanjën, Irlandën dhe Norvegjinë në njohjen e Palestinës si shtet të pavarur dhe sovran, si pjesë e përpjekjeve për të ndalur ofensivën izraelite në Rripin e Gazës.

Duke e paraqitur vendimin e Lubjanës si një "mesazh për paqen", kryeministri Robert Golob tha se ky është hap i rëndësishëm dhe parakusht për të negociuar një zgjidhje me dy shtete. 

Koalicioni qeverisës ka një shumicë në parlament me 90 vende. Dokumenti për pranimin e shtetit palestinez u miratua nga 52 deputetë, me një abstenim dhe asnjë votë kundër, ndërsa përfaqësuesit e opozitës e lëshuan seancën. 

Partia Demokratike Sllovene e ish kryeministrit Janez Jansha të hënën paraqiti një kërkesë për mbajtjen e një referendumi konsultativ për njohjen e Palestinës. Siç shkruajnë mediat sllovene, Jansha tha se vendimi i Qeverisë për njohjen e Palestinës tashmë i ka shkaktuar dëme afatgjata Sllovenisë "sepse ajo mbështet organizatën terroriste Hamas".

Ministri i Punëve të Jashtme izraelite javën e kaluar e dënoi vendimin e Sllovenisë që ta njohë shtetin e pavarur palestinez. 

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Kac, tha se vendimi, për të cilin do të votojë parlamenti, është çmim për Hamasin për vrasjet dhe përdhunimet. Në njoftimin e Kacit thuhet se kjo lëvizje e forcon edhe Iranin, armikun e Izraelit dhe dëmton "miqësinë e ngushtë të popullit slloven dhe izraelit".

Irani, Norvegjia dhe Spanja zyrtarisht e pranuan pavarësinë e Palestinës javën e kaluar. Suedia e bëri këtë lëvizje dhjetë vjetë më parë. 

Të gjitha këto lëvizje e forcuan çështjen palestineze në botë, por zemëruan Izraelin.

Më shumë se 140 nga 193 vende-anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë pranuar Palestinën si shtet sovran. Vendet e Evropës Perëndimore dhe SHBA-ja prej kohësh ishin në përjashtim. qa/ 

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR