Parlamenti i Kosovës nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e 45-të
- – Kuvendi i Kosovës as në përpjekjen e 45-të nuk arriti të formojë komision për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.
- Post By Fitore Curri
- 13:28, 11 korrik, 2025
Prishtinë, 11 korrik 2025 (MIA) – Kuvendi i Kosovës as në përpjekjen e 45-të nuk arriti të formojë komision për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit.
Nga gjithsej 93 deputetë të pranishëm, vetëm 49 votuan për formimin e komisionit, që nuk mjaftoi për miratimin e propozimit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, reagoi pasi kryesuesi Avni Dehari i bëri thirrje partisë më të madhe opozitare të propozojë anëtar të komisionit. Para se t’i ndalet mikrofoni atij, Tahiri deklaroi se kjo është hera e 45-të si Dehari “e shkel Kushtetutën e Kosovës”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, i propozoi Deharit që të kthehet në rendin e ditës dhe ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, vlerësoi se “bëhet fjalë për bllokadë të qëllimshme të seancës”.
Pas ndërprerjes së seancës, deputetët e tri partive opozitare mbetën në sallën e kuvendit në shenjë proteste, duke e akuzuar partinë fituese se nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. fc/
Foto: Arkivi