• e enjte, 26 dhjetor 2024

Paralajmërohen reagime më të fuqishme nga institucionet për rritjen e çmimeve në markete

Paralajmërohen reagime më të fuqishme nga institucionet për rritjen e çmimeve në markete

Shkup, 25 dhjetor 2024 (MIA) - Institucionet prej sot do të reagojnë në lidhje me çmimet në markete, ndërsa nëse tregtarët vazhdojnë të rrisin çmimet e produkteve të caktuara, reagimi do të jetë edhe më i fuqishëm në periudhën në vijim, paralajmëroi sot kryeministri, Hristijan Mickoski.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fillimit të projektit për rindërtimin e rrugës drejt Manastirit "Pelenicë" në Komunën e Kisella Vodës, kryetari i Qeverisë nuk tha se me çfarë masash do të përballen tregtarët, por theksoi se qytetarët do ta dëshmojnë atë në periudhën që pason.

Mickoski potencoi se dje në Qeveri ka biseduar me pronarët e të gjitha supermarketeve të mëdha dhe se kanë lënë vullnet të mirë që të mos jetë me qasje që do të nënkuptonte kufizimin e çmimeve, etj, për të cilën ata thanë se ishte një masë jopopuliste.

"Dëshironim të dëgjojmë prej tyre që me vullnet të mirë të diskutohet dhe të arrihet një zgjidhje e përbashkët, e cila do të pranohet. Dhe kjo ndodhi. Fakti që disa prej tyre përdorin truke, kjo është çështje tjetër. Për këtë do të ketë procedura adekuate, analizat janë në vazhdim e sipër dhe ato procedura do të zbatohen këto ditë", tha Mickoski.

Vlerëson se nuk është mirë që po luajnë me durimin e qytetarëve dhe se në periudhën para festave, çmimet e produkteve të caktuara janë rritur për 25 për qind.

"Ajo që ata menduan se do të na mashtrojnë në këtë mënyrë dhe po luajnë me durimin e qytetarëve dhe të Qeverisë, mendoj se nuk është mirë dhe duhet ta rishikojnë sjelljen e tyre. Kjo nuk është sjellje korrekte, sidomos para festave, nuk duhet të bëhen fitime të mëdha në këtë mënyrë. Sepse qytetarët presin mirëkuptim nga ana e tyre dhe së paku të jetë ashtu siç ka qenë dhe të mos rriten çmimet e produkteve të caktuara papritmas. Çmimet e produkteve të caktuara janë rritur për 25 për qind. Kjo nuk është sjellje etike, por do të thosha sjellje çnjerëzore", nënvizoi Mickoski. rq/bsh/

Foto: Printskrin

ФОТО: Принтскрин

QËNDRONI TË LIDHUR