Panova: Hapja e hapësirës për dialog real dhe të drejtë social duke ulur pragun e përfaqësimit sindikal nga 10 në 5 për qind
- Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova, sot në Kuvend në konferencë për media informoi se Komisioni për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike e ka shqyrtuar Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie të punës, me të cilin propozohet zvogëlimi i pragut të përfaqësimit sindikal nga 10 për qind në Këshillin Ekonomik dhe Social (KES).
- Post By Sara Ademi
- 13:29, 4 qershor, 2025
Shkup, 4 qershor 2025 (MIA) - Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova, sot në Kuvend në konferencë për media informoi se Komisioni për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike e ka shqyrtuar Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie të punës, me të cilin propozohet zvogëlimi i pragut të përfaqësimit sindikal nga 10 për qind në Këshillin Ekonomik dhe Social (KES).
Siç tha ajo, ky amendament ka një qëllim të qartë - të krijojë kushte më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse për asocim sindikal dhe përfaqësim në Këshillin Ekonomik dhe Social.
Sipas saj, ulja e pragut do të lejojë që më shumë sindikata të fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në KES, ku merren vendime të rëndësishme për punëtorët, punëdhënësit dhe shtetin. Panova tha se në takimin e djeshëm me përfaqësues nga KSL, KOSM dhe USPAM ka pasur mbështetje për këtë nismë.
"Qëndrimet e tyre ishin të qarta – ky ndryshim është i domosdoshëm, i drejtë dhe vjen në momentin e duhur. Si deputetë të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit, ne e deklarojmë qartë: qëllimi nuk është të krijohen konfrontime ndërmjet sindikatave, por të hapet hapësira për dialog real dhe të drejtë social. Përfaqësueshmëria nuk duhet të jetë pengesë, por mjet për të përfaqësuar realisht interesat e punëtorëve", tha Panova.
Grupi parlamentar mbetet i hapur për komunikim me të gjitha organizatat sindikale, përfshirë edhe ato që nuk ishin të pranishme në takim, pasi siç tha Panova, besojnë se vetëm përmes gjithëpërfshirjes dhe dialogut mund të ndërtohet një sistem social më stabil.
"Ky ndryshim është vetëm një nga hapat që po bëjmë drejt një sistemi pune më modern, më të drejtë dhe evropian", tha Panova.
Në seancën e sotme të Komisionit për Çështje Ekonomike, është votuar për procedurë të mëtutjeshme Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie të punës, për të cilin nuk është pranuar një amendament, si dhe janë pranuar ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen nga ngacmimi në punë, për të cilin nuk janë paraqitur amendamente.
Për procedurë të mëtutjeshme janë dorëzuar edhe Propozim-ligji për përdorimin e pajisjes teknike për transport, Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vullnetarizëm dhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shtesat e të rinjve, të gjitha në lexim të parë. sa/
FOTO: Arkivi