• e hënë, 23 dhjetor 2024

Panel- sesion në Forumin e Prespës për dialog kushtuar rolit të grave në procesin e qeverisjes

Panel- sesion në Forumin e Prespës për dialog kushtuar rolit të grave në procesin e qeverisjes
Shkup, 17 qershor 2022 (MIA)- Në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog 2022 sot u mbajt paneli kushtuar grave, i titulluar "Samiti për Demokraci - Rëndësia e gruas në procesin e qeverisjes", ku morën pjesë zyrtarë të lartë nga vendi, rajoni dhe më gjerë. Në fjalimin hyrës, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Fatmire Isaki theksoi se ka progres të dukshëm në përmirësimin e barazisë gjinore në shoqëri, megjithatë duhet që të bëhen përpjekje të mëtejshme për përfshirjen e grave në qeverisje, në proceset e vendimmarrjes dhe në politikë. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani potencoi se një shoqëri që siguron të drejta të barabarta për vajzat dhe gratë dhe e vlerëson punën e tyre njësoj si të burrave, është shoqëri që do ta shpijë botën drejt zhvillimit, demokracisë dhe përparimit. Në të njëjtin drejtim ishin mesazhet e zëvendëskryeministres, Sllavica Grkovska e cila theksoi se së bashku, burrat dhe gratë, duhet të flasin hapur për barazinë gjinore në qeverisje si në nivel qendror, lokal, ashtu si dhe në të gjitha segmentet që kontribuojnë në zhvillimin e vendit siç janë: mediat, shoqëria civile dhe sektori privat. Rozmari Di Karlo, Nënsekretare për Çështje Politike dhe Paqeje e OKB-së tha se nuk duhet të ekzistojë Marrëveshje paqeje, politikë apo të sillet vendim pa përfshirjen e grave, pasi  që ato janë shtylla e paqes dhe prosperitetit të qëndrueshëm dhe mirëqenies. “Gratë duhet të jenë në tryezën e vendimmarrjes, në proceset e paqes dhe në këto procese patjetër të merret parasysh perspektiva gjinore”, shtoi Di Karlo. Në panel, përmes video-lidhjes u kyç edhe Katrina Fotovat, Sekretare e Lartë e Shtetit për Çështje Globale të Grave e njëherësh edhe promovuese e nismës së Presidentit të SHBA, Xho Biden për lidership politik dhe barazi gjinore. Fatovat shprehu kënaqësinë që kjo iniciativë ka rezultuar me reagim të shkëlqyeshëm nga shumë vende të botës dhe se inkurajon aktivitete konkrete për të promovuar qeverisjen e grave si bazë themelore i demokracisë. Folës në panel ishin: Albert Hani, Sekretar i Përgjithshëm i RYCO dhe Robert Benxhamin, Drejtor Rajonal i NDI, të cilët iu referuan domosdoshmërisë për përfshirjen e burrave si avokatë për barazinë gjinore përmes mbështetjes së tyre të fortë për përfshirjen e grave në pozitat më të larta vendimmarrëse në politikë dhe qeverisje, me çka u theksua se barazia dhe qeverisja e mirë shkojnë paralelisht, gjë që nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe se vendet me shkallë më të lartë të përfshirjes së grave në qeverisje renditen lart si vende demokratike dhe ekonomikisht më të zhvilluara. Pas diskutimit të frytshëm në panel dhe interesimit të shprehur përmes pyetjeve dhe komenteve të shumta nga të pranishmit drejtuar panelistëve, konkludimet përmbyllëse të panelit i dha Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kejt Mari Bërnz, e cila i theksoi tri momente të rëndësishme për diskutim lidhur me përmirësimin e pozitës së gruas në rajon, duke thënë se jemi ende në fillim të realizimit të qëllimit. "Demokracia ende është e brishtë në këtë rajon dhe se tridhjetë vjet nuk janë një kohë e gjatë, por ka ende shumë praktika të mira që mund të merren si shembull i mirë për progresin e arritur" duke shtuar se gratë në detyrë duhet në maksimum t’i shfrytëzojnë pozicionet e tyre, për të përmirësuar jetën e grave të tjera në përgjithësi në çdo sferë të jetës.  

QËNDRONI TË LIDHUR