Panel diskutim për drejtësi dhe dije: Medreseja “Isa Beu” sot një histori suksesi!
- Sot në ambientet e Medresesë “Isa Beu” në Shkup u zhvillua panel diskutim solemn dhe emocionalisht i fuqishëm i cili përjetësisht do të mbetet në kujtesën e arsimdashësve dhe të gjithë atyre që besojnë në drejtësinë institucionale dhe barazinë fetare e kombëtare në vend.
- Post By Fami Bajrami
- 15:50, 7 gusht, 2025
Shkup, 7 gusht 2025 (MIA)- Sot në ambientet e Medresesë “Isa Beu” në Shkup u zhvillua panel diskutim solemn dhe emocionalisht i fuqishëm i cili përjetësisht do të mbetet në kujtesën e arsimdashësve dhe të gjithë atyre që besojnë në drejtësinë institucionale dhe barazinë fetare e kombëtare në vend.
Ky panel u mbajt në nder të miratimit historik nga Qeveria dhe Parlamenti rreth Ligjit për Medresenë i cili pas 35 vitesh padrejtësi më në fund i njeh Medresesë “Isa Beu” statusin e saj të merituar në sistemin shtetëror arsimor. Ky vendim rikthen dinjitetin e mohuar për dekada nxënësve dhe mësimdhënësve të këtij institucioni të ndritur.
“Ky është një akt i vonuar drejtësie që e meritonte Medreseja ‘Isa Beu’ dhe nxënësit e saj. Ne e bëmë këtë jo për lavdi politike, por për të vendosur drejtësinë në vend dhe për t’i dhënë respektin që i takon arsimit islam në këtë vend”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, duke shtuar se kjo është një ditë e madhe për çdo njeri që beson në barazi dhe dinjitet.
Në fjalimin e tij, njëri nga liderët e VLEN-it dhe njëri nga nismëtarët e këtij procesi, Zeqirja Ibrahimi tha se “me këtë ligj ne mbrojmë një histori të lavdishme, të mbushur me sakrifica, si ajo e heroit të dijes dhe arsimit, Azem Morana”.
“Kjo është një fitore për gjithë komunitetin, për gjithë ne që e kemi pasur të shenjtë misionin e dijes”, tha ai.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe figura të larta të Bashkësisë Fetare Islame, mes tyre edhe Reis ul-Ulema Haxhi Shaqir efendi Fetahu i cili e quajti këtë vendim një “moment historik për Medresenë Isa Beu, që për dekada të tëra ka mbajtur të gjallë traditën e dijes dhe fesë në trojet tona”.
VLEN me krenari qëndron pas kësaj arritjeje dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për të ndrequr çdo padrejtësi që i është bërë arsimit shqip, identitetit dhe besimit tonë.
Tani, Medreseja “Isa Beu” nuk është më një institucion i përjashtuar. Ajo është pjesë e sistemit shtetëror e barabartë me dinjitetin që e meriton. Dhe kjo është fitorja e vërtetë e drejtësisë, thonë nga VLEN.