• e premte, 05 dhjetor 2025

Panel diskutim: Integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike për ne, por një domosdoshmëri gjeopolitike për Evropën

Panel diskutim: Integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike për ne, por një domosdoshmëri gjeopolitike për Evropën

Shkup, 28 maj 2025 (MIA) - Zgjerimi i Bashkimit Evropian është investim gjeostrategjik për paqe, siguri dhe stabilitet. Maqedonia e Veriut nuk ka hequr dorë asnjëherë nga rruga e integrimit evropian, por është përballur me sfida dhe pengesa reale që e kanë ngadalësuar këtë rrugë. Procesi i integrimit është projekt që kërkon përkushtim të përditshëm, durim politik dhe besim të thellë në vlerat e përbashkëta, porositën folësit sot në panel diskutimin "Formësimi i së ardhmes – integrimi në BE si nxitës i përparimit të Maqedonisë së Veriut", që u mbajt me rastin e Ditës së Evropës - 9 maj në Shkup. 

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi tha në fjalën e tij në panel diskutimin se Evropa nuk është vetëm destinacioni ynë i synuar, por edhe pasqyrë në të cilën shohim të ardhmen tonë.

"Megjithëse po shënojmë një përvjetor simbolik të BE-së, ne po shënojmë gjithashtu një çerek shekulli bashkëpunim të thellë me partnerët tanë. Ky rrugëtim pasqyron historinë e përkushtimit, sfidave dhe transformimit tonë, por mbi të gjitha, pasqyron realitetin politik dhe social të ndërtuar përmes dialogut dhe një vizioni të përbashkët", tha Gashi.

 

Ai vuri në dukje se në këtë udhëtim nuk ishte e lehtë, por, theksoi, shteti tregoi se asgjë nuk është më e rëndësishme se angazhimi për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, respektimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e të drejtave të çdo qytetari, duke pranuar plotësisht vlerat dhe standardet evropiane.

"Duhet të jemi të sinqertë dhe vendimtarë. Maqedonia e Veriut nuk ka hequr dorë asnjëherë nga rruga e integrimit evropian, por është përballur me sfida dhe pengesa reale që e kanë ngadalësuar këtë rrugë. Procesi i integrimit është projekt që kërkon angazhim të përditshëm, durim politik dhe besim të thellë në vlerat e përbashkëta", tha Gashi.

Ngjarja organizohet nga Fondacioni Konrad Adenauer, Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Vilfrid Martens për Studime Evropiane. Në fjalën e tij, Gashi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me këta partnerë.

"Në këtë kontekst, dua të theksoj rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm të partnerëve tanë. Bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët tanë është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm, për të siguruar qëndrueshmërinë dhe përparimin e reformave. Sot përballemi me pengesa që kërkojnë pjekuri politike, mirëkuptim dhe qasje racionale. Nga njëra anë, çështjet e identitetit me të cilat përballet vendi janë të vështira për t'u zgjidhur dhe kërkojnë kohë dhe qetësi", tha Gashi.

Nga ana tjetër, siç theksoi ai, krizat që kanë përfshirë rajonin tregojnë qartë se integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje politike për ne, por domosdoshmëri gjeopolitike për të gjithë Evropën.

"Unë jam plotësisht i bindur se Maqedonia e Veriut, siç ka treguar më parë, do t'i tejkalojë këto sfida, por kjo është arsyeja pse mbështetja e sinqertë dhe e qëndrueshme nga partnerët tanë ndërkombëtarë është e nevojshme. Së bashku si institucione, organizata dhe qytetarë, duhet të vazhdojmë të ndërtojmë Maqedoninë e Veriut. Si Kryetar, unë garantoj angazhimin tim në këtë shtëpi institucionale për të mbetur shtyllë e demokracisë dhe vend për dialog, e jo vend për ndarje dhe arenë me interesa të ngushta", tha Gashi.

 

Kryetari i Fondacionit Konrad Adenauer dhe kryetari i 12-të i Bundestagut Gjerman, Norbert Lamert, në fjalën e tij në këtë ngjarje, theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.

"Nga Samiti ynë i fundit doli konkluzioni se procesi i zgjerimit ka marrë një vrull të ri dhe ka arritur përparim të konsiderueshëm. Sipas perceptimit tim, mendoj se jemi më shumë të ballafaquar me stagnim diskret, e jo me përparim të dukshëm. Vendet potenciale anëtare duhet të përmbushin disa kritere që janë të nevojshme për t'u bashkuar me BE dhe unë jam i bindur se risitë në historinë e fundit të Evropës janë në të vërtetë pjesë e procesit të integrimit evropian", tha Lamerti.

Kryetari i Qendrës për Studime Evropiane, Vilfrid Martens, dhe ish-kryeministri i Sllovakisë, Mikulash Xurinda, vunë në dukje se beson se, ashtu si Sllovakia, rruga e Maqedonisë së Veriut do të jetë e suksesshme dhe kjo do të thotë se do të përmbushet qëllimi përfundimtar i aderimit në Bashkimin Evropian.

"Këtë e deklaroj me vetëdije të plotë për të gjitha sfidat me të cilat Maqedonia është përballur deri më tani dhe të gjitha sfidat që sigurisht do të vazhdojnë të jenë sfidë për vendin edhe në të ardhmen. Unë jam me të vërtetë i vetëdijshëm dhe mund ta imagjinoj zhgënjimin e ndjerë nga krerët maqedonas, të cilët shpresojnë për anëtarësim evropian, e në të njëjtën kohë janë të vetëdijshëm për të gjitha parregullsitë me të cilat përballet ky vend. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se rrethanat e jashtme kanë ndryshuar, duke filluar me zgjerimin e madh në vitin 2002, në të cilin ndodhej vendi im. Këto rrethana, për fat të keq, u ndryshuan për keq", tha Xurinda.

Sipas tij, krerë të caktuar politikë arritën të përdorin krizën financiare globale, migrimet masive në Evropë, pandeminë e Kovidit dhe probleme të tjera globale për qëllimet e tyre personale, egoiste.

"Në të njëjtën kohë, shohim se këto forca nuk kanë asnjë plan, asnjë kapacitet apo program për t'iu përgjigjur vështirësive dhe sfidave serioze me të cilat përballemi në ditët e sotme. Kjo është arsyeja pse ne konservatorët dhe forcat proevropiane duhet t'i rezistojmë presioneve të këtilla. Ne në BE, vendet tona anëtare dhe institucionet evropiane jemi të vetëdijshëm për ato detyra që duhet të përmbushen nga ne. Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën për reforma që do të mundësojnë vendimmarrje efikase në fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes", tha Xurinda.

 

Ai theksoi se prioritet i lartë janë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat duhet të jenë anëtare të BE-së.

"Por megjithatë, na presin punë të madhe. Procesi i bllokuar duhet të zhbllokohet. Maqedonia e Veriut tashmë ka treguar në të kaluarën se e kupton nevojën për kompromis. Historia e vendit tuaj është dëshmi e një aftësie, vullneti dhe angazhimi të tillë, është dëshmi se çështjet në dukje të pazgjidhshme mund të zgjidhen", shtoi Xurinda.

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane në vend, Mileva Gjurovska, tha se në ditën e shënimit të Ditës së Evropës, është e nevojshme të dërgohet mesazh i qartë dhe johamendës i paqes, solidaritetit dhe sundimit të së drejtës si vlera themelore dhe synimi për të ndërtuar bashkësi të qëndrueshëm dhe të drejtë.

"Është e nevojshme të kultivojmë paqen dhe të ndërtojmël bashkësi me vepra, e jo vetëm me fjalë. Ne jemi në rrugën e BE-së, shumë shpejt duhet të fillojë me të vërtetë. Sot po përballemi me sfida serioze, këto janë ndryshimet kushtetuese që janë parakusht për vazhdimin e procesit të aderimit. Kjo është çështje e vështirë që mbart peshë të madhe politike dhe institucionale, e cila kërkon urtësi, guxim dhe gatishmëri për kompromise. Por, me kompromiset nuk duhet ta humbasim dinjitetin tonë", tha Gjurovska.

 

Фото: МИА

QËNDRONI TË LIDHUR