Pahlavi i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në rrëzimin e regjimit në Iran
- Princi i Kurorës iraniane në ekzil, Reza Pahlavi, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë në mënyrë aktive protestuesit iranianë në rrëzimin e regjimit në Teheran.
Uashington, 17 janar 2026 (MIA) - Princi i Kurorës iraniane në ekzil, Reza Pahlavi, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë në mënyrë aktive protestuesit iranianë në rrëzimin e regjimit në Teheran.
"Republika Islamike do të bjerë, jo nëse, por kur", tha Pahlavi në konferencë për shtyp në Uashington, ndërsa fjalimin e filloi me një minutë për "popullin e guximshëm iranian".
Sipas tij, regjimi iranian do të bjerë edhe pa ndihmë nga jashtë, por me veprime konkrete nga bashkësia ndërkombëtare, kjo do të ndodhë më shpejt dhe me më pak viktima.
"Populli iranian po ndërmerr hapa vendimtarë në terren, tani është koha që bashkësia ndërkombëtare të bashkohet", tha Pahlavi.
Ai theksoi gjashtë hapa konkretë që bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë në lidhje me Iranin.
"Mbrojtja e popullit iranian duke dobësuar aparatin represiv të regjimit, përfshirë Gardën Revolucionare;
- Të intensifikohet dhe të ruhet presioni maksimal ekonomik;
- Të mundësohet qasje e pakufizuar në internet dhe komunikime të sigurta, të dëbohen diplomatët iranianë dhe të ndërmirren veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për krime kundër njerëzimit;
- Të lirohen menjëherë të gjithë të burgosurit politikë;
- Të përgatitet tranzicion demokratik dhe më pas të njihet qeveria kalimtare iraniane.
- Ai përsëriti gatishmërinë e tij për t'u kthyer në Iran dhe për të marrë një rol udhëheqës në periudhën e tranzicionit.
Protestat në Teheran filluan më 28 dhjetor kur tregtarët shprehën zemërimin e tyre për zhvlerësimin rekord të monedhës vendase, rialit, kundrejt dollarit amerikan dhe inflacionin në rritje. Studentët shpejt iu bashkuan protestave, të cilat u përhapën në qytete të tjera. Demonstratat u përshkallëzuan shpejt në kërkesa për ndryshim regjimi.
Sipas organizatave joqeveritare, në protestat në Iran janë vrarë të paktën 2.500 persona, ndërsa mbi 18,000 janë ndaluar. Dezertuesit iranianë pretendojnë se forcat qeveritare po vrasin protestuesit në rrugë.
Reza Pahlavi është djali i Shahut të fundit të Iranit, kurse javët e fundit ka qenë një nga fytyrat më të dukshme të opozitës së fragmentuar iraniane. ls/
Foto: EPA