Përurohet sistemi për kontroll të përbashkët kufitar në VK Bllacë - Hani i Elezit
- Filloi me funksionim kontrolli i përbashkët kufitar (One Stop Shop) në vendkalimin kufitar Bllacë - Hani i Elezit, ku u ndërtua infrastruktura e re fizike dhe digjitale, me të cilën vendoset sistemi funksional, i cili mundëson vetëm një ndalesë dhe një kontroll të pasaportave. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së veriut, Hristijan Mickoski në solemnitetin me rastin e përurimit të sistemit, tha se modernizimi i kalimit kufitar është hapje e një perspektive të re për qytetarët, ekonomisë dhe rajonit.
- Post By Besnik Shuki
- 13:13, 12 prill, 2025

Shkup, 12 prill 2025 (MIA) - Filloi me funksionim kontrolli i përbashkët kufitar (One Stop Shop) në vendkalimin kufitar Bllacë - Hani i Elezit, ku u ndërtua infrastruktura e re fizike dhe digjitale, me të cilën vendoset sistemi funksional, i cili mundëson vetëm një ndalesë dhe një kontroll të pasaportave. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së veriut, Hristijan Mickoski në solemnitetin me rastin e përurimit të sistemit, tha se modernizimi i kalimit kufitar është hapje e një perspektive të re për qytetarët, ekonomisë dhe rajonit.
Kufiri, i cili deri tani ka qenë pengesë, tha Mickoski, sot bëhet simbol i modernizimit, integrimit dhe pjekurisë rajonale dhe më nuk do të pritet me orë.
"Sot simbolikisht, por edhe në thelb e vendosim kufirin mes problemeve dhe zgjidhjeve, mes ngecjes dhe lëvizjes, mes burokracisë dhe efikasitetit. Vendkalimi i përbashkët kufitar, i organizuar sipas sistemit One Stop Shop do të thotë vetëm një ndalesë, në vend të dy, një pritje në vend të dy, një kontroll në vend të dy të ndara, ndërsa për qytetarët kjo do të thotë më shumë kohë për familjet, për punë, për jetë. Në mënyrën më të mirë tregojmë se kufiri nuk duhet të jetë mur, kufiri mundet dhe duhet të jetë ura e jon e përbashkët, e cila lidh njerëz, ide dhe mundësi, përmes së cilës flitet për besim, bashkëpunim, bashkëpunim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe turizmit", tha Mickoski.
Ai porositi se hapi i ardhshëm është më tepër se politika bilaterale dhe është pjesë e fotografisë më të madhe, siç tha, fotografi ku tërë Ballkani Perëndimor lëviz në të njëjtin drejtim drejt Bashkimit Evropian. Kjo pikë e përbashkët kufitare, shtoi, nuk është vetëm kalim mes dy shteteve, por edhe kalim ndaj vlerave evropiane të bashkëpunimit, integrimit dhe lëvizjes së lirë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pas një periudhe më të gjatë, angazhimi dhe përkushtimi rezultoi me një projekt të rëndësisë së madhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
"Themelimi i vendkalimeve të përbashkëta kufitare janë më shumë se infrastrukturë kufitare dhe ato paraqesin pika të reja të bashkëpunimit dhe servis që i lidh edhe më shumë popujt tanë dhe i përforcojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore", tha Kurti, duke theksuar se koncepti i vendkalimit është dëshmi për besim më të madh mes dy shteteve.
"Prej tani e tutje qytetarët do të kontrollohen vetëm gjatë hyrjes në vend, ndërsa të dhënat do të këmbehen në kohë reale përmes sistemit bashkëkohor teknologjik. Vetëm në vitin 2024 mbi pesë milionë qytetarë i kanë kaluar tre vendkalimet kufitare mes dy shteteve, që e tregon lidhjen mes qytearëve tanë, por edhe nevojën për kalim të lirë dhe të shpejtë të njerëzve dhe mallrave", tha Kurti. bsh/
Foto: Printskrin, Qeveri