Përsëri është shtyrë procesi gjyqësor për lehonën nga Dibra, mbrojtja e të akuzuarit të parë kërkon përjashtimin e gjykatësit
- – Në Gjykatën Themelore Penale sot përsëri ishte shtyrë seanca gjyqësore në të cilën duhej të prezantohej raporti nga superekpertiza për rastin me lehonën Jëlldëz Veaposka nga Dibra, për shkak të kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarit të parë, për përjashtimin e gjykatësit.
- Post By Fitore Curri
- 15:52, 9 shtator, 2025
Shkup, 9 shtator 2025 (MIA) – Në Gjykatën Themelore Penale sot përsëri ishte shtyrë seanca gjyqësore në të cilën duhej të prezantohej raporti nga superekpertiza për rastin me lehonën Jëlldëz Veaposka nga Dibra, për shkak të kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarit të parë, për përjashtimin e gjykatësit.
Në seancën gjyqësore morën pjesë dy, nga tre ekspertë, për çka avokati i gjinekologut Muhamed Asani, Igor Petkoski, së pari kërkoi nga gjykata që ekipi i tre ekspertëve bashkë ta prezantojnë raportin, por së pari të merret në pyetje gjinekologja Tanja Gurxhanova. Pasi kërkesa ishte refuzuar nga ana e gjykatësit Jordan Jovanov, ai kërkoi përjashtimin e tij, pas çka paralajmëroi se do të kërkojë përjashtim edhe të kryetarëve të Gjykatës në Strugë dhe të Apelit në Manastir që lënda të shqyrtohet para Gjykatës Supreme në Shkup.
Ai paralajmëroi se në afat prej 48 orëve deri te kryetari i Gjykatës do të dorëzojë parashtresë me shkrim me detaje për kërkesën për përjashtimin e gjykatësit, kryetarin e Gjykatës në Strugë dhe të kryetarit të Gjykatës së Apelit Manastir.
“Është e pakuptueshme në shekullin 21, me ekzistencën e shumë vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut, të diskutohen të drejtat themelore të mbrojtjes në këtë rast”, tha Petkovski, duke reaguar ndaj vendimit të gjykatësit që raporti i superekspertizës të paraqitej nga dy ekspertët e pranishëm, pavarësisht vendimit që në prezantimin e tij të merrnin pjesë të tre ekspertët.
Prokurorja publike Ermira Musa – Nura tha se rrëfimi i dy ekspertëve të pranishëm është i mjaftueshëm që të sqarohet superekpertiza dhe se nuk ka nevojë nga eksperti i tretë. Ajo e kundërshtoi edhe kërkesën për përjashtimin e gjykatësit.
“Pas një procedure kaq të gjatë, sot mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjykatësit, një kërkesë që mund të ishte bërë më herët. Për shkak të kësaj, gjykata nuk mundi të vepronte. Ne jemi kundër këtyre kërkesave dhe kemi kërkuar që gjykata t'i refuzojë ato”, tha Musa-Nura.
E dëmtuara, lehona Jëlldëz Veaposka nga Dibra, të cilës pas lindjes me operacion cezarian në Spitalin në Strugë i ishin hequr, mitra, vezoret dhe veshka doli e dëshpëruar nga salla gjyqësore.
“Nuk kam më as forcë, as shëndet. Nuk jam mirë psiqikisht. Në shtetin tonë nuk ka as gjykatë, as gjykatës, as drejtësi. Është e turpshme që mjekët nga superekspertiza të vijnë nga Shkupi dhe në vend që të ketë fjalë përfundimtare, procesi gjyqësor të shtyhet për kohë të pacaktuar”, tha Veaposka.
I autorizuari i saj, avokati Sasho Janev vlerëson se përjashtimi i gjykatësit është pjesë e strategjisë së mbrojtjes për zvarritjen dhe vjetërsimin e veprës, por theksoi se beson në efektivitetin e gjykatës.
“Besoj që gjykata do të jetë e shpejtë dhe efektive dhe se shpejtë do të vendoset në lidhje me këto veprime dëshpëruese të mbrojtjes dhe do të marrim aktvendim lirues, të cilin e presim aq gjatë”, tha Janev.
Procesi gjyqësor kundër tre mjekëve – gjinekologut Muhamed Asani, djalit të tij mjekut Blerton Asani dhe mjekës Liljana Jovanovska, zgjat rreth tre vjet, ndërsa vepra vjetërsohet në fillim të vitit të ardhshëm. Tre herë filloi nga fillimi për shkak të ndryshimit të gjykatësve. fc/
Foto: MIA