Përqindja e civilëve të vrarë në Gazë është më e lartë se në të gjitha konfliktet e tjera në shekullin e 20-të
- Bombardimi izraelit në Gazë është më pa seleksionues sa i përket numrit të viktimave civile në atë zonë në vitet e fundit, ndërsa përqindja e viktimave civile në numrin e përgjithshëm në luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë është dukshëm më i lartë se në të gjitha luftërat në botë gjatë shekullit të 20-të, sipas një analize të publikuar sot nga gazeta izraelite "Haarec".
- Post By Ajrije Rexhepi
- 17:46, 9 dhjetor, 2023
Jerusalem, 9 dhjetor 2023 (MIA) - Bombardimi izraelit në Gazë është më pa seleksionues sa i përket numrit të viktimave civile në atë zonë në vitet e fundit, ndërsa përqindja e viktimave civile në numrin e përgjithshëm në luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë është dukshëm më i lartë se në të gjitha luftërat në botë gjatë shekullit të 20-të, sipas një analize të publikuar sot nga gazeta izraelite "Haarec".
Analiza tregoi se në tre konfliktet e mëparshme në Gazë nga viti 2012 deri në vitin 2022, përqindja e viktimave civile në përgjithësi ka qenë rreth 40 për qind, ndërsa në bombardimet në "Operacionin Mburoja dhe Shigjeta" këtë vit ishte 33 për qind.
Për tre javë që nga operacioni i fundit "Shpatat e Hekurta" në Gazë, përqindja e viktimave civile në përgjithësi është 61 për qind, të cilën gazeta "Haarec" e përshkroi si "vrasje të paprecedentë".
Kjo përqindje nga Gazë është dukshëm më e lartë se numri i viktimave të civilëve në të gjitha konfliktet në botë gjatë shekullit të 20-të, në të cilin civilët përbëjnë rreth gjysmën e të vdekurve.
"Përfundimi është se vrasja masive e civilëve jo vetëm që nuk kontribuon aspak në sigurinë e Izraelit, por mundet në mënyrë shtesë ta minojë", shkruan "Haarec", që beson se banorët e Gazës të cilët do të dalin nga rrënojat e shtëpive të tyre dhe pas humbjes së familjeve të tyre do të kërkojnë hakmarrje e cila nuk mund të durojë kurrfarë marrëveshje sigurie.
Kjo analizë e konfirmoi hetimin para dhjetë ditëve nga dy faqe izraelite të lajmeve - "Magazin +972" dhe "Thirrje Lokale" - e cila zbuloi se Izraeli synon qëllimisht blloqe të banesave për të shkaktuar viktima të mëdha civile me shpresë se njerëzit do të kthehen kundër sundimtarit të tyre Hamasit.
Gazeta britanike "Gardian" thekson se këto numra do të shkaktojnë shqetësim në administratën e presidentit amerikan Xho Bajden, e cila po përballet me kritika dhe izolim të përgjithshëm për shkak se vendosi veto në votimin e mbrëmshëm të Këshillit të Sigurimit të KB-së për kërkesën e botës për armëpushim në Gazë.
Gjatë luftës të shkaktuar nga sulmet vdekjeprurëse ndaj Izraelit më 7 tetor nga ana e Hamasit, SHBA-ja u përpoq t'i bindin forcat izraelite që të jenë më selektivë në shënjestrimin e tyre, por pavarësisht bilancit vazhdimisht të lartë të vdekjeve civile, vazhdimisht ka pohuar se IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit ) e pranojnë këshillën amerikane.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Xhon Kirbi e përsëriti këtë në konferencën e djeshme për shtyp, por shtoi se "të gjithë e kuptojnë se mund të bëhet më shumë që të ulen viktimat civile", duke paralajmëruar se do të punojë me homologët e tij izraelitë për ta arritur këtë.
SHBA-ja japin mbështetje diplomatike për Izraelin dhe dërgojnë armë, me çfarë rrezikojnë të jenë bashkëpunëtorë në krimet e luftës, paralajmëroi organizata ndërkombëtare "Hjuamn rajst uoç", ndërsa organizata Amnesti Intereneshënëll vlerësoi se SHBA-ja, me veton e tyre në Këshillin e Sigurimit të KB-së, "ua kthen kurrizin e vuajtjeve të mëdha civile, numrit të viktimave dhe katastrofës së paprecedentë humanitare në Gazë".
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së atjeshme, rreth 70 për qind nga pothuajse 17.500 personave të vrarë në Gazë që nga 7 tetori, janë gra dhe fëmijë, ndërsa 46.000 njerëz janë plagosur në sulmet izraelite.
Rezultatet e analizës u publikuan sot derisa forcat izraelite kërkojnë të konsolidojnë kontrollin mbi pjesën veriore të Gazës dhe e bombarduan lagjen Shexhai të qytetit të Gazës dhe Rafah, në kufirin jugor me Egjiptin, ku ushtria izraelite më parë u tha palestinezëve që të evakuoheshin.
Nuk është e qartë se sa njerëz kanë vdekur në 24 orët e fundit, por spitali kryesor në Deir al Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës bëri të ditur se 71 trupa ishin sjellë dhe 62 u transferuan në Spitalin Naser në qyetin e dytë më të madh në territorin palestinez Kan Junis në jug.
Foto: DPA