Përleshje midis policisë belge dhe demonstruesve pro-kurdë në Bruksel
- Anëtarë të policisë belge mbrëmë në Bruksel u përleshën me një grup të demonstruesve që morën pjesë në protestat për mbështetje të kurdëve në Siri.
Bruksel, 22 janar 2026 (MIA) - Anëtarë të policisë belge mbrëmë në Bruksel u përleshën me një grup të demonstruesve që morën pjesë në protestat për mbështetje të kurdëve në Siri.
Tubimi u zhvillua në sheshin Luksemburg para Parlamentit Evropian, me qëllim shprehjen e protestës kundër liderit sirian Ahmed al-Shara dhe sulmeve ndaj anëtarëve të komunitetit kurd në veri-lindje të Sirisë nga forcat qeveritare.
Protesta paqësore u përshkallëzua kur policia i ndaloi demonstruesit të marshojnë drejt ambasadës turke në Bruksel, ku disa prej tyre u përplasën me anëtarët e policisë.
Sipas policisë, përplasjet nisën kur demonstruesit filluan të hedhin gurë dhe objekte të tjera ndaj policisë, duke lënduar disa policë dhe duke dëmtuar disa automjete të parkuara.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstruesit dhe për t'i ndaluar të drejtohen drejt hyrjes së Parlamentit Evropian, theksohet në kumtesën e policisë.
Zëdhënësja e policisë, Ilse Van de Kir, në deklaratë për “Bruksel Tajms”, thotë se ishte i nevojshëm “përdorimi i përkohshëm i gazit lotsjellës për të ndaluar turmën, për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar çdo përshkallëzim”.
Protesta e organizuar nga shoqatat e komunitetit kurd në Belgjikë ishte paralajmëruar si një tubim paqësor, me qëllim të tërhiqte vëmendjen e BE-së mbi atë që qeveria siriane po bën ndaj kurdëve, luftëtarët e të cilëve morën pjesë në operacionet e forcave perëndimore kundër anëtarëve të Shtetit Islamik (SHI). ls/
Foto: Arkivi i MIA-s