• e premte, 05 dhjetor 2025

Përfundoi takimi Mickoski - Taravari, bisedimet do të vazhdojnë

Përfundoi takimi Mickoski - Taravari, bisedimet do të vazhdojnë

Shkup, 5 maj 2025 (MIA) - Përfundoi takimi mes kryeministrit, Hristijan Mickoski dhe ministrit të Shëndetësisë dhe lider i krahut të Aleancës së Shqiptarëve, Arben Taravari, i cili, siç informojnë nga Qeveria për mediumet, ka kaluar në frymë konstruktive. Bisedimet do të vazhdojnë dhe gjatë këtij muaji do të dihet ardhmëria e funksionimit të ASH-së. Kryeministri Mickoski në takimin i ka konfirmuar pozitat e parashtruara paraprakisht.

Mickoski sot kumtoi se në takimin dëshiron ta dëgjojë cilin opsion e zgjedh Taravari - "rrugën e reformave dhe sundimin e së drejtës, luftën për shoqëri të barabartë dhe institucione të cilat funksionojnë" ose do t'u bashkangjitet "atyre forcave politike të cilat me vite e kriminalizojnë dhe shkatërrojnë shtetin".

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në Shtip, Mickoski tha se "me apo pa zotëri Taravarin, Qeveria është stabile, e fuqishme dhe me shumicë të madhe" dhe se i mbetet atij dhe bashkëpartiakëve të tij të vendosin për njërën nga dy opsionet.

Siç tha, "lojërat prapa skenave janë lojëra të tejdukshme, identifikohen dhe njihen lehtësisht dhe më së shpeshti godasin kokën e atyre që i bëjnë ato". Mickoski në deklaratën e djeshme, kur paralajmëroi takimin me Taravarin, tha se don të dëgjojë qartë “nëse është e vërtetë se ekziston marrëveshje midis partisë së Taravarit dhe BDI-së” për përkrahje në zgjedhje, duke deklaruar se për të kjo është e papranueshme.

Megjithatë, Arben Taravari në Tetovë deklaroi se ata i qëndrojnë vendimit të marrë nga Kryesia e partisë që në zgjedhjet lokale të tetorit të paraqiten me lista të veçanta këshilltarësh "dhe me siguri me kandidatët e tyre për kryetarë në komunat ku garojnë", por se do ta dëgjojë edhe qëndrimin e kryeministrit, pas çka do të vlerësojnë se si do të vazhdojë Aleanca.

Takimi vjen pas trazirave në koalicionin Vlen, ku pjesë ishte ASH e Taravarit, pasi tre partitë tjera partnere nuk ranë dakord që ai në zgjedhje të paraqitet me lista të veçanta për këshilltarë. Ata e akuzuan atë se kishte negociuar me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe se veten e ka përjashtuar nga Koalicioni Vlen. Ndërkohë, tre partitë nga Vlen (Alternativa, Besa dhe Lëvizja Demokratike) njoftuan se koalicioni do të veprojë si një subjekt i vetëm politik. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR