Përfundoi takimi i liderëve
- Pas gati tre orësh, në Klubin e Deputetëve përfundoi takimi i liderëve i iniciuar nga Kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në të cilin duhej të bisedohej për ligjet reformuese të gjyqësorit, për zgjedhjen e avokatit të popullit, për Kodin zgjedhor dhe heqjen e qeverisë teknike, por edhe për çështje tjera me propozim të pjesëmarrësve në takim.
Shkup, 14 janar 2026 (MIA) - Pas gati tre orësh, në Klubin e Deputetëve përfundoi takimi i liderëve i iniciuar nga Kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në të cilin duhej të bisedohej për ligjet reformuese të gjyqësorit, për zgjedhjen e avokatit të popullit, për Kodin zgjedhor dhe heqjen e qeverisë teknike, por edhe për çështje tjera me propozim të pjesëmarrësve në takim.
Përveç Mickoskit, në takimin e partnerëve të koalicionit në Qeveri morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i ZNAM dhe ministër i Administratës Publike Goran Minçev, si dhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami nga Koalicioni "Vlen". Nga grupet opozitare të deputetëve të pranishëm janë liderët e të Majtës dhe BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti.
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe, i cili e refuzoi thirrjen e Mickoskit, nuk erdhi në takim.
Pas takimit të liderëve priten deklarata të pjesëmarrësve.

Kryeministri Hristijan Mickoski më 7 janar paralajmëroi se do t'u dërgojë ftesa partive politike për një takim liderësh, i cili do të mbahej para udhëtimit të tij në Forumin ekonomik botëror në Davos, ndërsa temë e takimit do të ishte konsensusi për ligjet reformuese dhe shfuqizimi i qeverisë teknike. Për çështjet kyçe për shtetin, Mickoski pret konsensus nga liderët e gjithë koalicioneve parlamentare, si dhe se rendi i ditës, mund të zgjerohet dhe plotësohet me të tjera.

Lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, më 8 janar e refuzoi thirrjen për një takim liderësh për të shfuqizuar qeverinë teknike, duke akuzuar se Mickoski “po kërkon alibi për të shpallur zgjedhje të parakohshme”. Sipas Filipces, qeveria teknike duhet të mbetet sepse është garanci për zgjedhje të ndershme dhe një mekanizëm kontrolli për të parandaluar abuzimin me institucionet. Lidhur me agjendën e reformave, ai tha se debati për ligjet do të zhvillohet në parlament, ku LSDM do t'i mbështesë të gjitha. Gjithashtu shtoi se LSDM do të marrë pjesë në çdo rast në zgjedhjet parlamentare, nëse ato shpallen. ls/
Foto: MIA