• e diel, 22 dhjetor 2024

Përfundoi shqyrtimi i përgjithshëm për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për ndërtim

Përfundoi shqyrtimi i përgjithshëm për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për ndërtim

Shkup, 22 maj 2023 (MIA) - Kuvendi sot pasdite në kuadër të seancës së 115-të e përfundoi shqyrtimin e përgjithshëm të Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërtim, i cili është pjesë e ndryshimeve të pesë vendimeve ligjore të nevojshme për zbatimin e marrëveshjes me “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d. Votimi për zgjidhjen ligjore do të bëhet shtesë.

Gjatë diskutimit, deputetët e opozitës theksuan se ndryshimet në pesë vendimet ligjore janë vetëm mbulesë për legalizimin e korrupsionit dhe krimit përmes abuzimit me flamurin evropian, ndërsa ato të partive në pushtet janë për realizim më të shpejtë dhe më të lirë të autostradave në korridoret 8 dhe 10d.

Lidija Petkoska nga VMRO-DPMNE tha se të 17 amendamentet që i kanë paraqitur për këtë zgjidhje ligjore kanë për qëllim, siç tha ajo, që ligji të mos nënkuptojë paligjshmëri.

Në përgjigje, Dragica Gjavoçanova nga LSDM tha se nuk mund të pretendohet se po punohet pa projekt dhe përmendësh dhe shtoi se tashmë është përgatitur studimi i fizibilitetit nga Fakulteti i Ndërtimtarisë për zgjidhjet e autostradave.

Të gjitha këto, shtoi, i gjeni në ueb faqen e “Enka”.

Velika Stojkova Serafimovska nga VMRO-DPMNE, në fjalimin e saj tha se nuk duhet të nxitohet për miratimin e ligjeve të tilla, dhe siç tha ajo, sjellja e ndryshimeve të tilla ligjore me flamur evropian dhe me një debat të kufizuar vetëm dy ditë e bën pikërisht të kundërtën.

Anëtari i saj nga partia Brane Petrushevski theksoi se ndryshimet në pesë zgjidhjet ligjore janë dëshmi se autostradat nuk mund të ndërtohen në përputhje me ligjet në fuqi në vend. Siç tha ai, përgjegjës për këtë do të jetë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, sepse ka nënshkruar një marrëveshje që duhet të zbatohet pas ndryshimit të ligjeve. Pa i hedhur lopatë kontraktorit, siç tha ai, atij do t'i paguhen gjithsej 300 milionë euro si zë për punimet përgatitore në terren, prej të cilave 117 milionë tashmë janë paguar.

Borislav K[rmov nga e Majta pyeti se si më parë, kur është ndërtuar sipas standardeve më të larta - JUS, nuk kemi pasur nevojë të ndryshojmë standardet për realizimin e projekteve dhe shtoi se me ndryshimet në zgjidhjet ligjore, në fakt nuk do të ketë standarde dhe kaosi urban vetëm do të rritet.

“Me këto ndryshime ligjore LSDM-ja në mënyrë efektive e shfuqizon urbanizmin”, tha Kërmov.

Kuvendi do të vazhdojë nesër seancën e 115-të. ls/

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR