• e premte, 05 dhjetor 2025

Përfundoi debati i përgjithshëm për Propozim-buxhetin për vitin 2026, nga nesër debati për amandamentet

Përfundoi debati i përgjithshëm për Propozim-buxhetin për vitin 2026, nga nesër debati për amandamentet

Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) - Komisioni kuvendor për Financim dhe Buxhet sot pasdite, pas tre ditë debat, e përfundoi debatin e përgjithshëm për Propozim- buxhetin për vitin 2026. Debati për mbi 100 amandamentet e paraqitura do të vazhdojë nesër, pas përfundimit të seancës së caktuar plenare, paralajmëroi kryetarja e Komisionit, Jovanka Trençevska. 

Deputetët e shumicës në pushtet edhe në pjesën e pasditës së debatit shprehën pikëpamjet e tyre se buxheti i propozuar është real dhe i zhvilluar me tregues të bazuar në përmirësimin e rritjes ekonomike dhe zbatimin e fortë të projekteve dhe të ardhurave. Me realizimin e buxhetit të propozuar, sipas tyre, do të realizohen nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, pasi sigurohen më shumë mjete për paga më të larta, pensione, shkolla të reja, kopshte, zhvillim të infrastrukturës, digjitalizim dhe investime kapitale. Në të kundërt, deputetët e opozitës besojnë se buxheti i propozuar është joreal, i pazhvilluar dhe social dhe nuk do të përmirësojë standardin e qytetarëve dhe të shërbimeve shtetërore. Ata gjithashtu kritikuan se borxhi publik do të rritet dhe se investimet kapitale janë zvogëluar.

Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm janë parashikuar në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë dhe investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë ose 650 milionë euro. Rritja ekonomike është parashikuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5, kurse deficiti buxhetor në 3,5 përqind të PBB-së. ls/

Foto: VMRO-DPMNE, printskrin 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR