• e diel, 22 dhjetor 2024

Për vëzhgimet mikrosizmike pas tërmetit të Shkupit meritor Dragan Haxhievski, atëherë udhëheqës i Stacionit sizmologjik

Për vëzhgimet mikrosizmike pas tërmetit të Shkupit meritor Dragan Haxhievski, atëherë udhëheqës i Stacionit sizmologjik

Shkup, 26 korrik 2024 (MIA) - Observatori sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko - Natyror në Shkup, sot, me rastin e tërmetit në vitin 1963, kthehet dhe sqaron se çka saktë kishte ndodhur atë mëngjes fatal në Stacionin sizmologjik në Universitetin e Shkupit.

Stacioni sizmologjik në Universitetin në Shkup ishte stacioni i vetëm sizmologjik që punonte në kohën e tërmetit katastrofik më 26 korrik. Në momentin e tërmetit, me stacionin udhëhiqte Dragan Haxhievski, profesor në Fakultetin Matematiko - Natyror në Shkup. Të punësur të tjerë ishin gjeologu Pande Georgiesvki dhe ndihmës laboranti dhe rojtari Risto Gligorov, i cili me familjen e tij jetonte në pjesën banesore të stacionit, diçka që ishte e zakonshme për institucionet e atëhershme sizmologjike. Megjithatë, Pande dhe Risto më 26 korrik 1963 ishin në pushim vjetor, prandaj gjatë mëngjesit fatal në Shkup nga ekspertët në stacion ishte vetëm Dragan Haxhievski, ndërsa në ndërtesën e stacionit - vetëm prindërit e Risto Gligorovit, Timo dhe Sofia. 

"Timo dhe Sofia më 26 korrik 1963, në orën 5 e 17 minuta u zgjuan nga një goditje nëntokësore shumë e fortë, e ndjekur nga një zhurmë e madhe. Menjëherë më pas kanë ndjerë dhe dëgjuar goditje të forta në muret e jashtme të stacionit nga muret e shembur gëlqeror në shpatin e Vodnos mbi stacion. Fatmirësisht stacioni nuk ka pësuar dëme të konsiderueshme. Ata vrapuan në oborrin e stacionit, ku panë një pamje të tmerrshme: në vend të qytetit të Shkupit, rrëzë shpatit të Vodnos ngriheshin re të mëdha pluhuri. Kur pluhuri u pastrua pas pak, ata panë ndërtesa dhe shtëpi të shembura. Në kaosin e përgjithshëm, ata as që e vunë re se në moment kishte mbërritur shefi i stacionit, Dragan Haxhievski, i cili me shumë vështirësi, përmes panikut dhe rrënojave në qytetin e tij Shkup, arriti në stacion me automjetin e tij", bën të ditur Observatori Sizmologjik.

Stacioni më pas u pajis me dy sizmografë mekanikë MAINKA, të instaluar në gjysmën e parë të vitit 1957, për të regjistruar lëvizjet e tokës përgjatë drejtimeve veri-jug dhe lindje-perëndim, dhe me sizmografin mekanik CONRAD, të instaluar në shkurt 1963, në mënyrë që të regjistrojë lëvizjet e tokës përgjatë drejtimit veri-jug. Dragani konstatoi se të tre sizmografët u hoqën nga puna kur ra tërmeti i fortë. Me shumë emocion, por edhe mjeshtëri, ai arriti që rreth 38 minuta pas tërmetit të rifuste në funksion sizmografin CONRAD dhe pas rreth 2 orë e 32 minutash një nga sizmografët MAINKA. Kjo mundësoi regjistrimin e vazhdueshëm të tërmeteve të tjera të ndodhura pas atij të fortë, gjë që siguroi nxjerrjen e mëtejshme të Buletinit Sizmologjik dhe raporteve të veçanta, si dhe informimin në kohë të popullatës për marrjen e masave të duhura mbrojtëse.

"Vazhdimësia e vëzhgimeve mikrosizmike pas tërmetit të fuqishëm që i siguroi Dragan Haxhievski është, në fakt, material bazë për hulumtimin e mëtejshëm të gjerë të zonës epicentrale të Shkupit nga aspekti sizmologjik dhe sizmotektonik, por edhe shembull i veçantë për të gjithë sizmologët për angazhim dhe veprim profesionist vetëmohues, në mëngjesin e 26 korrikut 1963", sqaron Observatori Sizmologjik.

Sot, 26 korrik, shënohet 61-vjetori i tërmetit katastrofik të Shkupit me magnitudë 6,1 sipas shkallës Rihter dhe intensitet prej 10 ballë sipas Shkallës Evropiane Makrosizmike. Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa humbën jetën 1.070 persona. fc/

Fotografia: Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit Matematikor - Natyror në Shkup

 

QËNDRONI TË LIDHUR