• e hënë, 23 dhjetor 2024

Për shkak të sulmit të mbrëmshëm në Bruksel shtyhet skriningu për Kapitullin 11

Për shkak të sulmit të mbrëmshëm në Bruksel shtyhet skriningu për Kapitullin 11

Bruksel, 17 tetor 2023 (MIA) -Skriningu dypalësh për Kapitullin 11 – "Bujqësia dhe Zhvillimi Rural", i cili filloi dje në Bruksel dhe që duhej të vazhdonte sot dhe nesër, është shtyrë për shkak të sulmit të armatosur të mbrëmshëm në kryeqytetin belg, ku mbetën të vrarë dy shtetas suedezë dhe një i tretë i plagosur.

Siç informon shefja e delegacionit nga Maqedonia e Veriut, zëvendës kryenegociatore me BE-në dhe sekretare shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu - Halili, pas komunikimit dhe konsultimeve të vazhdueshme me përfaqësues të Komisionit Evropian, Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të BE-së, Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër NATO-s dhe Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Bruksel, dhe duke pasur parasysh situatën e krijuar të sigurisë, është marrë vendimi për shtyrjen e ditës së dytë të skrinigut bilateral për kapitullin 11. Takimi i planifikuar për sot, do të mbahet të enjten, më 19 tetor.

Sipas saj ky vendim bazohet në angazhimin e përbashkët mbi sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë pjesëmarrësve të delegacionit tonë në procesin e skriningut me Komisionin Evropian.

"Edhe njëherë shprehim ngushëllimet tona më të thella për viktimat dhe familjet e prekura nga ky akt i pakuptimtë dhune", theksoi Abdiu - Halili.

Ajo konfimroi se të gjithë anëtarët e delegacionit të Maqedonisë së Veriut janë të sigurt, duke theksuar se siguria dhe mirëqenia e delegacionit tonë mbeten prioriteti ynë kryesor.

"Edhe përkundër vështirësive, përkushtimi ynë për procesin e negociatave mbetet i palëkundur. Delegacioni ynë çmon përkushtimin, mbështetjen dhe falënderojmë  kolegët tanë nga Komisioni Evropian, Misioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të BE-së, Misioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të NATO-s dhe Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Bruksel që gjatë tërë kohës u angazhuan për sigurinë tonë, duke na informuar dhe ofruar ndihmën e duhur", shtoi Abdiu - Halili. fc/

Fotografia: SÇE/Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR