• e shtunë, 23 nëntor 2024

Për herë të parë tejkalohet kufiri i ngrohjes prej 1,5 gradë për një vit

Për herë të parë tejkalohet kufiri i ngrohjes prej 1,5 gradë për një vit

Londër, 8 shkurt 2024 (MIA) - Ngrohja globale për herë të parë tejkaloi 1,5 gradë Celsius për një vit, konfirmoi Zyra për Ndryshime Klimatike e BE-së Kopernik.

Periudha nga shkurti i vitit 2023 deri në janar të vitit 2024 arriti 1,52 gradë ngrohje dhe shkencëtarët kërkojnë reduktim urgjent të emetimeve të dëmshme.

"Kjo e tejkalon shumë atë që është e pranueshme." Shikoni se çfarë ka ndodhur këtë vit, me vetëm 1.5 gradë rritje - ne kemi parë përmbytje, kemi parë thatësirë, kemi parë valë të nxehtit dhe zjarre në të gjithë botën", deklaroi për Bi-Bi-Si profesori Bob Votson, ish kryesues i IPCC-së, organ i KB-së për ndryshimet klimatike.

Liderët botëror me Marrëveshjen Parisiene të vitit 2015 premtuan se do të bëjnë përpjekje ta kufizojnë rritjen afatgjate të temperaturës në 1,5 gradë, që konsiderohet i rëndësishëm për shmangien e ndikimeve më të dëmshme.

Të dhënat e vitit paraprak nuk e shkelin këtë marrëveshje, por tregojnë për një rritje afatgjatë të ngrohjes.

Sipërfaqja e detit në botë është gjithashtu në temperaturën mesatare më të lartë të regjistruar ndonjëherë, që është një tjetër shenjë e shkallës së ndryshimeve klimatike rekord, raporton Bi-Bi-Si.

Trendi afatgjatë i ngrohjes pa dyshim është shkaktuar nga aktivitetet njerëzore, kryesisht djegia e lëndëve djegëse fosile, të cilat çlirojnë gazra që ngrohin planetin, si dioksidi i karbonit.

Megjithatë, studiuesit besojnë se njerëzit ende mund të ndalojnë ngrohjen globale.

Bota ka bërë disa përparime me teknologjitë e gjelbra si burimet e rinovueshme të energjisë dhe automjetet elektrike që përdoren në shumë pjesë të botës duke reduktuar kështu sasinë e dëmeve të shkaktuara nga njerëzit. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR