• e diel, 22 dhjetor 2024

Për 7 vite i është hequr licenca anesteziologut nga Tetova që publikonte incizime të pacienteve në Tik Tok

Për 7 vite i është hequr licenca anesteziologut nga Tetova që publikonte incizime të pacienteve në Tik Tok

Shkup, 24 prill 2023 (MIA) - Gjykata e Nderit pranë Odës së mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e sot,e ka marrë vendim që përkohësisht t'ia heq licencën e punës, doktor Valton Dervishit, specialist anesteziolog, i punësuar në ISHP Spitali klinik Tetovë. Mjekut i hiqet leja e punës përkohësisht për një periudhë 7-vjeçare, që sipas rregulloreve ligjore është dënimi maksimal që mund të vendoset për shkelje etike në punë.

Gjykata e Nderit, kumtuan nga Oda e Mjekëve, konstatoi se mjeku ka shkelur Kodin e Deontologjisë Mjekësore të Odës së Mjekëve, si dhe Kodin Ndërkombëtar të Etikës Mjekësore.

Doktori i mjekësisë, theksojnë nga Oda e Mjekësisë duhet ta kryejë profesionin e tij me ndërgjegje dhe përgjegjësi, duke respektuar dinjitetin njerëzor. Ai është i detyruar të respektojë dhe mbrojë të drejtat e pacientëve dhe të ruajë besimin e tyre dhe konfidencialitetin e të dhënave mjekësore. Ata theksojnë se respektimi i normave etike është baza më e rëndësishme mbi të cilën mjekët praktikojnë çdo ditë njohuritë e tyre profesionale në fushën e mjekësisë dhe trajtojnë pacientët.

"Edhe mjeku më profesionist nuk është mjaftueshëm mjek i mirë nëse nuk respekton normat dhe rregullat etike. Oda e Mjekësisë, si shoqatë profesionale e të gjithë mjekëve të mjekësisë në vendin tonë, nuk do të lejojë që dinjiteti dhe reputacioni i mjekëve të kërcënohet nga sjelljet e papërgjegjshme të individëve të profesionit. Me vendimin e sotëm, organet e Odës, si përfaqësues legjitimë të të gjithë anëtarëve të saj, dërgojnë mesazhin se mjekët besojnë në vlerat dhe rregullat etike dhe do të avokojnë fuqishëm për respektimin e vazhdueshëm në punën e tyre", qëndron në kumtesën nga Oda e Mjekësisë.

Prokuroria themelore publike në Tetovë ka ngritur aktakuzë kundër anesteziologut Dervishi, i cili në fshehtësi ka filmuar pacientet në repartin e gjinekologjisë në spitalin e Tetovës dhe videon e ka publikuar në Tik-Tok. Mjeku anesteziolog, i cili gjithashtu u shkarkua, akuzohet për punë të pakujdesshme në shërbim, si dhe regjistrim të paautorizuar. Sipas kodit penal, për një vepër të tillë parashikohet dënimi me burg nga tre muaj deri në tre vjet. ls/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR