• e enjte, 26 dhjetor 2024

Osmani-Konakoviq: Maqedonia e Veriut është e gatshme që përvojat e saj nga integrimi euroatlantik ti ndajë me BeH-në

Osmani-Konakoviq: Maqedonia e Veriut është e gatshme që përvojat e saj nga integrimi euroatlantik ti ndajë me BeH-në

Shkup, 21 mars 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut është e gatshme për ndarjen e përvojave të saj me Bosnja e Hercegovinën në procesin e integrimit euroatlantik, porositi sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në një bisedë telefonike me homologun e tij boshnjak Elmedin Konakoviq.

Duke e uruar për marrjen e detyrës, Osmani shprehu kënaqësi për nivelin e lartë të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve, si dhe bindjen se ekziston mundësi dhe potencial për zgjerimin e tyre, përmes projekteve dhe iniciativave konkrete, sidomos në bashkëpunimin ekonomik.

"Vendimi për dhënien e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE është i rëndësishëm për kursin reformues të Bosnja e Hercegovinës dhe e një rëndësie të madhe është për stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit dhe për integrimin e tij sa më të shpejtë në BE", theksoi Osmani.

 Në mënyrë të veçantë diskutuan për bashkëpunimin rajonal, me fokus në kryesimin e Maqedonisë së Veriut me SHBA-Kartën e Adriatikut (A5) dhe OSBE-në. Në këtë kontekst, u diskutua për takimin e ardhshëm ministror në kuadër të A5 (27-28 mars) dhe vizitën e misionit në terren të OSBE-së në Bosnja e Hercegovinë, e planifikuar që të realizohet gjatë muajit prill. sa/

foto/MPJ 

 

QËNDRONI TË LIDHUR