• e martë, 23 korrik 2024

Osmani takoi presidentin e Letonisë, Edgars Rinkeviçs

Osmani takoi presidentin e Letonisë, Edgars Rinkeviçs

Prishtinë, 21 shtator 2023 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani  e cila po qëndron në Nju Jork ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka takuar presidentin e Republikës së Letonisë, Edgars Rinkeviçs.

“Presidentja Osmani e uroi presidentin Rinkeviçs për zgjedhjen e tij, duke shprehur përkushtimin që të vazhdohen përpjekjet e përbashkëta për thellimin e raporteve bilaterale në mes të Kosovës dhe Letonisë, të cilat kanë themelet në vlerat e përbashkëta demokratike, si dhe ngritjes së tyre në nivel të partneritetit strategjik”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Osmanit.

Krahas marrëdhënieve bilaterale, në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon e më gjerë, me ç’rast Osmani ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri afatgjate.

“Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Rinkeviçs për mbështetjen e vazhduar të Letonisë për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në kumtesë.

QËNDRONI TË LIDHUR