Osmani për MIA-n: Zgjedhjet lokale të tetorit janë referendum
- Zgjedhjet lokale të tetorit jo vetëm në Çair, por në përgjithësi janë referendum, pra referendum për të hedhur poshtë ose për të normalizuar një koncept që po tenton të instalohet në vendin tonë, atë të zhbërjes së Marrëveshjes së Ohrit dhe të shkrihet statusi shtetëformues i popullit shqiptar dhe të bëhet i njëjtë me pakicat siç ka qenë në vitin para 2001. Fakti që VLEN-i si eksperiment i dështuar politik të gjithë të ardhmen e vet e ka varur mbi shpresën se do t’i ndihmojë VMRO-DPMNE me votat e veta, “tregon se sa e gabuar është kjo politikë dhe prandaj kjo ka mobilizuar gjithandej shqiptarët që të japin mesazhin se duhet të respektohet vota e qytetarëve, sovranit për të ardhmen e vendit, thotë Osmani për MIA-n.
- Post By Fami Bajrami
- 12:26, 17 gusht, 2025
Shkup, 17 gusht 2025 (MIA)- Zgjedhjet lokale të tetorit jo vetëm në Çair, por në përgjithësi janë referendum, pra referendum për të hedhur poshtë ose për të normalizuar një koncept që po tenton të instalohet në vendin tonë, atë të zhbërjes së Marrëveshjes së Ohrit dhe të shkrihet statusi shtetëformues i popullit shqiptar dhe të bëhet i njëjtë me pakicat siç ka qenë në vitin para 2001. Fakti që VLEN-i si eksperiment i dështuar politik të gjithë të ardhmen e vet e ka varur mbi shpresën se do t’i ndihmojë VMRO-DPMNE me votat e veta, “tregon se sa e gabuar është kjo politikë dhe prandaj kjo ka mobilizuar gjithandej shqiptarët që të japin mesazhin se duhet të respektohet vota e qytetarëve, sovranit për të ardhmen e vendit”.
Këtë në intervistën për MIA-n e thotë kandidati i Frontit Evropian për komunën e Çairit, Bujar Osmani i cili në garën lokale më 19 tetor do të përballet me Izet Mexhitin, kandidat i VLEN-it për Çairin, njëherësh zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Ai thotë se këto zgjedhje pikërisht e kanë kontrastin te perceptimi i qytetarit dhe temën mbi korrupsionin. Thekson se varet prej qytetarëve se a do t’ia japin besimin për t’u shërbyer, “kjo nuk është fare çështje e karrierës politike, por çështje e vendimit të qytetarëve se kë do zgjedhin për t’u shërbyer atyre”.
“Unë jam kirurg dhe politikën e shoh si shërbim”, shprehet ai.
Çairi është në vend strategjik në Shkup, Çairi dhe Qendra janë dy komunat më qendrore të Shkupit. Dhe ju e shihni se si është krijuar dallimi midis komunës Qendër dhe komunës së Çairit. Çairi ka degraduar tërësisht, kurse vëmendja është vendosur te komuna Qendër. Unë mendoj se Çairi patjetër duhet ta ndalë këtë cikël të degradimit të vet për shkak të mungesës së vizionit, ka thënë Osmani në intervistë.

Pasi roli i ministrave të jashtëm dhe diplomacisë është që të trajtojnë problemet, sikur që sot takohet Trampi me Putinin ashtu edhe unë shprehet ai, “jam takuar me ministrat e gjitha shteteve, pra është gënjeshtër se nuk kam qenë në Kosovë, numrin më të madh të vizitave e kam pasur pikërisht në Prishtinë, kam qenë një nga lobistët më të fuqishëm të Kosovës për pranimin në organizatat ndërkombëtare”.
“Unë do të përmbahem nga fushata negative, do të tentoj të flas për të arriturat e mia qoftë si ministër i jashtëm, qoftë me anëtarësimin në NATO, zgjidhjen e çështjes së emrit, çështjen me Bullgarinë, fillimin e bisedimeve me BE-në...”, ka thënë Osmani.
Anulimi i balancuesit, sipas tij është një prej dëmeve më të mëdha që u është bërë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Marrëveshjes së Ohrit në përgjithësi dhe se prej momentit kur është anuluar balancuesi, shqiptarët janë përjashtuar nga institucionet, thjeshtë janë shndërruar në një zero edhe atë duke filluar nga institucionet më kritike siç janë, ato të sigurisë dhe pastaj në institucione tjera që janë me rëndësi të veçantë.
Sipas tij, “Bota serbe” ka kapur tërësisht Maqedoninë e Veriut edhe në ato instrumente apo sisteme strategjike kyçe siç është sistemi financiar bankar, sistemi në telekomunikacion duke tentuar të kapë politikën dhe qeverinë që është bërë derë e hapur për futjen e botës serbe dhe jo rastësisht 461 deputetë të Parlamentit Evropian në raportin e tyre kanë konstatuar se Maqedonia është bërë instrument i botës serbe dhe kjo sipas tij, “është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Maqedonisë së Veriut, të ardhmes evropiane të vendit por edhe çështjes shqiptare këtu në Maqedoni”.
Komuna e Çairit pritet të jetë një nga betejat më të nxehta politike midis VLEN-it dhe Frontit Evropian (tani Besëlidhja aleanca kombëtare për integrim). Pra, kemi përballje të një ish ministri të MPJ-së dhe një zëvendëskryeministri të parë siç është z. Mexhiti. A ishte për ju e lehtë të merrej ky vendim dhe çfarë prisni nga kjo garë?
-Zgjedhjet lokale të tetorit jo vetëm në Çair, por në përgjithësi janë referendum, pra referendum për të hedhur poshtë ose për të normalizuar një koncept që po tenton të instalohet në vendin tonë. Koncepti është si vijon: një eksperiment politik i cili ja dresh u përça siç është VLEN-i i cili ishte krijuar për të arritur dy qëllime nën 1, të zhbëhet Marrëveshja e Ohrit dhe të shkrihet statusi shtetëformues i popullit shqiptar dhe të bëhet i njëjtë me pakicat siç ka qenë në vitin para 2001. Dhe nëse shihni të gjitha veprimet e qeverisë janë në drejtim të zhbërjes së statusit të veçantë që e kanë fituar shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit atë të popullit shtetëformues duke ua mohuar gjuhën, duke ua mohuar të drejtën e vetos dhe duke ua mohuar të drejtën e përfaqësimit ose zgjedhjes së përfaqësuesve të vet. Vetë fakti që është përcaktuar z. Stoillkoviq në krye të Ministrisë për Marrëveshjen e Ohrit jep mesazh se pakicat me rotacion duhet t’i ndërrojnë institucionet, sepse nuk ka një ndarje mes tyre. Marrëveshja e Ohrit i ka fuqizuar të gjitha komunitetet edhe turqit edhe boshnjakët edhe romët dhe të gjithë të tjerët, mirëpo shqiptarët kanë fituar një status të veçantë të popullit shtetëformues dhe këtu ka një plan të përgatitur për ta zhbërë atë status:

Momenti i dytë me eksperimentin VLEN po dëshirohet të asimilohet përfaqësimi i shqiptarëve nëpërmjet shformimit të organizimit të strukturuar të partive politike shqiptare duke i shndërruar ato në përzgjedhje të partive politike maqedone duke ua marrë të drejtën votuesve shqiptarë të jenë sovrani gjithashtu, dmth duke ua marrë statusin e zotit të shtëpisë dhe duke i bërë qiraxhi dhe se vetëm zoti i shtëpisë, sovrani, populli maqedonas paska të drejtë të përcaktojë përfaqësuesit e vet dhe ata duhet të përzgjedhin të tjerët. Këto janë dy dëmet më të mëdha që mund t’i bëhen Maqedonisë multietnike dhe çështjes shqiptare këtu, prandaj në këto zgjedhje, shqiptarët duhet në referendum dhe jo vetëm shqiptarët, por edhe gjithë komunitetet tjera duhet t’i thonë JO planit të zhbërjes së Marrëveshjes së Ohrit dhe asimilimit të përfaqësimit politik.
Thoni se këto zgjedhje do të jenë referendum kundër vasalitetit ndaj kryeministrit, Hristijan Mickoski i cili sipas jush dhe koalicionit që përbëni, tenton që me ç’do kusht të preferuarit e tij t’i prezantojë si përfaqësues të shqiptarëve. Çfarë mund të ndryshoni ju si opozitë nga ky prizëm edhe nëse fitoni disa nga komunat?
-Ju e shihni se është bërë një bashkim kombëtar në këto zgjedhje, partitë më të mëdha politike shqiptare janë bërë pjesë e Besëlidhjes aleanca kombëtare për integrim për të dërguar një mesazh se nuk mund tua merrni shqiptarëve të drejtën e sovranit, të drejtën e vendimmarrjes për të ardhmen e shtetit. Pra e shihni se çfarë është duke ndodhur, nën 1 nuk respektohet vota e shqiptarëve, nën 2 kryeministri thotë se një shqiptar nuk mund të negociojë në emër të shtetit, nën 3 përjashtohen shqiptarët nga institucionet, gjeneralët shqiptarë degradohen dhe shndërrohen në këshilltarë civil të ministrave dukë vënë në krye njerëz që kanë qenë vartës të tyre paraprakisht. Dhe kjo tregon që këtu ka një plan të përgatitur për të marrë statusin e zotit të shtëpisë shqiptarëve këtu si një përfitim i madh i Marrëveshjes së Ohrit dhe prandaj kjo ka frustruar çdo shqiptarë, ka irrituar çdo shqiptarë dhe natyrisht edhe ato të komunitetit maqedonas që e dinë se e ardhmja e Maqedonisë është vetëm në respektimin e ndërsjellë të dy komuniteteve, duke respektuar barazinë, duke respektuar përfaqësimin dhe se edhe ata janë të irrituar me këtë politikë. Kjo politikë përjashtuese mund të funksionojë një vit, dy, apo tre por është e paqëndrueshme dhe kjo domosdo do të përfundoj keq. Prandaj edhe VLEN si një eksperiment i krijuar nga kryeministri Mickoski mirë që dështoi me daljen e z.Taravari i cili ishte dëshmia më e mirë se ishte një eksperiment i cili nuk duhet të funksionojë si i tillë, por edhe populli shqiptarë mendoj se në këto zgjedhje do të japë mesazhin se rruga drejt përfaqësimit kalon përmes vullnetit të popullit dhe jo përmes selive të partive politike maqedone.
Keni përmendur katër problemet kryesore me të cilat do të merreni në Çair: kaosi urban, mungesa e parkingjeve, papastërtia dhe krimi i organizuar, ku premtoni madje një komunë të sigurt dhe të drejtë në Çair. Sa mendoni se kjo është e realizueshme?
-Patjetër duhet të jetë e realizueshme. Çairi është në vend strategjik në Shkup, Çairi dhe Qendra janë dy komunat më qendrore të Shkupit. Dhe ju e shihni se si është krijuar dallimi midis komunës Qendër dhe komunës së Çairit. Çairi ka degraduar tërësisht, kurse vëmendja është vendosur te komuna Qendër. Unë mendoj se Çairi patjetër duhet ta ndalë këtë cikël të degradimit të vet për shkak të mungesës së vizionit. Aty është një kaos urban i cili ua ka pamundësuar jetën normale qytetarëve, mungesa e parkingjeve ka vështirësuar jetën e përditshme, papastërtia ka dëmtuar shëndetin e fëmijëve, shëndetin e njerëzve atje dhe natyrisht dhe prapa gjithë kësaj qëndron një politikë e gabuar që në esencë ka korrupsionin dhe përfitimin në kurriz të qytetarëve. Këto i kam përcaktuar si prioritete të mia, jemi duke punuar me ekspertë ndërkombëtar, rajonal dhe vendor të cilët do të japin zgjidhje konkrete për secilat nga këto tema, si të hapim qarkullimin brenda Çairit, si të rregullojmë çështjen e parkingjeve, si të vendosim rend në ndërtime dhe natyrisht të kemi tolerancë zero ndaj korrupsionit qoftë në shërbimet lokale, qoftë në çështjen e ndërtimit.

Kundërkandidati juaj z.Mexhiti tha se jetoni në një objekt të ndërtuar pa leje dhe për këtë arsye siç ka thënë ai, “nuk keni kapacitet moral të flisni për këtë temë për Çairin...?
-Shihni tash nuk dua të merrem me ta, ata në panik do të tentojnë të hedhin baltë me qëllim të thonë se nuk jemi vetëm ne të tillë, janë edhe ata. Unë mendoj se këto zgjedhje pikërisht e kanë kontrastin te perceptimi i qytetarit dhe temën mbi korrupsionin. Në 20 vitet e karrierës sime politike, kapitalin më të madh politik e kam pikërisht në integritetin dhe faktin se nuk kam një njollë sa i takon korrupsionit ose veprimeve të paligjshme institucionale. Nuk është e vërtetë dhe është një lajm i rremë i cili është në kuadër të asaj politike që të pështynë ndaj kundërshtarit që diçka t’i mvishet. Qytetarët në këto zgjedhje kanë një kontrast para dy njerëzve lidhur me çështjen e integritetit para së gjithash.
Keni alarmuar mbi rritjen e ndikimit të konceptit “Bota serbe” në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ky proces tashmë po merr formë konkrete. Keni rikujtuar se pas hyrjes së Telekomit serb në tregun vendas, tani është në fazë finale edhe depërtimi i kapitalit serb në sektorin bankar, ndërkaq bie premtimi për një bankë shqiptare. Edhe VLEN ju ka akuzuar se si ministër keni mbajtur disa takime me shefin e diplomacisë së Serbisë, ndërkohë që nuk keni pasur asnjë iniciativë zyrtare me Kosovën?
-Unë kam qenë ministër i Jashtëm dhe ministrat e Jashtëm kryesisht takohen me ministrat për të zgjidhur problemet. Për shkak se roli i ministrave të jashtëm dhe diplomacisë është që të trajtojnë problemet, sikur që sot takohet Trampi me Putinin ashtu edhe unë jam takuar me ministrat e gjitha shteteve, pra është gënjeshtër se nuk kam qenë në Kosovë, numrin më të madh të vizitave e kam pasur pikërisht në Prishtinë, kam qenë një nga lobistët më të fuqishëm të Kosovës për pranimin në organizatat ndërkombëtare, por natyrisht në këtë fushatë duke mos pasur argumente do të tentohet të hidhet baltë, unë do të përmbahem nga fushata negative, do të tentoj të flas për të arriturat e mia qoftë si ministër i jashtëm, qoftë me anëtarësimin në NATO, zgjidhjen e çështjes së emrit, çështjen me Bullgarinë, fillimin e bisedimeve me BE-në dhe natyrisht këtë kredibilitet ma jep puna që kam udhëhequr institucionet paraprakisht, pra ma jep besimi te qytetarët mbi planin konkret që të dalë për Çairin e që do të jetë i besueshëm dhe i realizueshëm për ta. Pra “Bota serbe” ka kapur tërësisht Maqedoninë e Veriut edhe në ato instrumente apo sisteme strategjike kyçe siç është sistemi financiar bankar, sistemi në telekomunikacion duke tentuar të kapë politikën dhe qeverinë që është bërë derë e hapur për futjen e botës serbe dhe jo rastësisht 461 deputetë të Parlamentit Evropian në raportin e tyre kanë konstatuar se Maqedonia është bërë instrument i botës serbe dhe ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Maqedonisë së Veriut, të ardhmes evropiane të vendit por edhe çështjes shqiptare këtu në Maqedoni.
VLEN së fundmi ju akuzon për skandal dhe punë të paligjshme të rreth 120 milionë denarëve për organizimin e samitit të OSBE-së në Shkup. Përmendin edhe pritjen e ministrit rus Sergej Lavrov si një veprim që shkaktoi reagime negative dhe dyshime serioze në lidhje me orientimin e politikës së jashtme derisa ishit ministër. Cili është vlerësimi juaj rreth këtyre akuzave?
-Për shkak se këto spekulime kanë qenë edhe para organizimit të samitit për shkak se ata donin që të komprometojnë vendin para botës unë kam angazhuar të gjitha institucionet për të verifikuar dhe kontrolluar organizimin e atij samiti, të gjitha institucionet përfshirë edhe Antikorrupsionin, Entin e Revizionit dhe Prokurorinë ku kanë konstatuar se nuk ka pasur asnjë vërejtje në organizimin e atij samiti dhe atij takimi ministerial dhe ai takim konsiderohet si një nga më të suksesshmit që ka OSBE në historinë e saj prej vitit 1975 ku dhe është shpëtuar OSBE-ja dhe e ardhmja e saj, por natyrisht njerëzit janë të izoluar nga bota dhe nuk mund të organizojnë një takim më të vogël këtu në nivel rajonal, natyrisht nuk mund ta pranojnë që një ministër shqiptar të sjell gjithë botën këtu përfshirë edhe sekretarin amerikan të shtetit.

Z. Ahmeti thotë se luftën e keni me VMRO-DPMNE-në dhe siç thotë garnitura aktuale politike citoj "Çairin e ka shndërruar në Kandahar". I jep të drejtë edhe kryetares së Shkupit Danella Arsovska lidhur me ndërtimet e egra, ndërsa disa prova tanimë janë dërguar në prokurori?
-Përgjegjësi do të ketë për secilin që ka thyer ligjin dhe ka zhvatur qytetarët dhe ka shkatërruar të ardhmen e Çairit. Prej ditës së parë për ata që kanë bërë krim në kurriz të qytetarëve do të ketë përgjegjësi dhe ky është premtimi që u jap njerëzve. Mirëpo qytetarët që janë viktimë e këtij krimi që kanë blerë banesa në ndërtesat që janë pa leje, ata nuk do të jenë viktimë e këtij procesi, sepse do të ketë një zgjidhje, ata kanë kursyer gjatë gjithë jetës dhe kanë investuar për të ndërtuar një kulm mbi kokë dhe dikush i ka mashtruar në ndërtimet e egra pa leje duke falsifikuar dokumente. Si kryetar i ardhshëm i komunës atë që do të bëjmë është se do garantojmë që ato ndërtesa janë të sigurta sa i takon qëndrueshmërisë, rrezikut nga zjarri, tërmetit për shkak se thonë se njerëzit flenë me një sy hapur se mos po ndodhë diçka. E para që do të bëjmë është se garantojmë se ato do të jenë të sigurta, nëse janë të sigurta do të gjejmë mënyrën se si do t’u rregullohet çështja e pronësisë së atyre qytetarëve, kurse këta që kanë thyer ligjin, për këta nuk do të ketë tolerancë.
Përplasja e fundit me kundërkandidatin e juaj ishte edhe për UNT-në. Ju thatë se ndërtimi i saj është meritë e juaj, ndërsa z.Mexhiti ju demantoj se ju asaj kohe as që keni qenë në rrjedha dhe se atë proces e ka udhëhequr ai personalisht në bashkëpunim me të ndjerin Abdilaqim Ademin (ish zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së). Kush ka të drejtë?
-Unë në paraqitjen time tregova saktë me fakte sepse ka qenë një kërkesë e kryetarit Ahmeti që të marr në koordinim marrjen e kazermës Ilinden si tokë ku do të ndërtohet kampusi i Universitetit “Nënë Tereza” dhe bashkë me ish rektorin Azis Pollozhani e kemi menaxhuar këtë proces, me gjeneralët e ushtrisë, me ministrin e Mbrojtjes e kam negociuar, e kam koordinuar, e kam udhëhequr procesin në qeveri dhe kam qenë natyrisht një shërbyes në këtë funksion, ky ishte vizioni i Ali Ahmetit i cili ka dashur që në ato kazerma ku janë bërë plane antishqiptare, tani të bëhen vatra të dijes.
Në vazhdimësi keni alarmuar ndaj praktikave të fundit rreth punësimeve në disa institucione qendrore duke i konsideruar ato si shkelje e përfaqësimit të drejtë dhe obligimeve kushtetuese. Madje si parti paralajmëruat se do të kërkoni përgjegjësi ligjore dhe politike ndaj të gjithë atyre që përjashtojnë shqiptarët nga institucionet shtetërore. A e mbani ende këtë qëndrim?
-Anulimi i balancuesit është një prej dëmeve më të mëdha që u është bërë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Marrëveshjes së Ohrit në përgjithësi. Prej momentit kur është anuluar balancuesi, shqiptarët janë përjashtuar nga institucionet, thjeshtë janë shndërruar në një zero edhe atë duke filluar nga institucionet më kritike siç janë, ato të sigurisë dhe pastaj në institucione tjera që janë me rëndësi të veçantë. Kjo dëshmon se sa gabim ishte vendimi për ta anuluar balancuesin dhe pasojat do të jenë afatgjate, sepse këto punësime asimetrike që po bëhen tani ku shqiptarët janë shndërruar në zero, nuk do të mund të korrigjohen në 20 vitet e ardhshme. Ndaj dëmin që ka bërë VLEN-i për një vit do na duhet neve ndoshta 10 vite për t’i korrigjuar dhe për ta kthyer situatën në pikën zero aty ku e lamë me kryeministër shqiptar të vendit kur dolëm nga qeveria.

Kryeministri Mickoski tha se do të mbështesë VLEN-in në zgjedhjet lokale aty ku (VMRO-DPMNE) nuk do të ketë kandidat të tyre. A prisni edhe ju një mbështetje të tillë nga partitë politike maqedonase, ta zëmë nga LSDM-ja...?
-Unë pres mbështetje prej të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, thashë se unë do të jem shtyllë e marrëdhënieve të mira ndëretnike, e kam dëshmuar atë në të gjitha funksionet e mia sepse besoj në bashkëjetesë, besoj në ndërtimin e një shtëpie të përbashkët ku të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike dhe asaj fetare do të jenë të barabartë dhe do marrin shërbimin e njëjtë prej shtetit. Fakti që VLEN-i si eksperiment i dështuar politik të gjithë të ardhmen e vet e ka varur mbi shpresën se do t’i ndihmojë VMRO-DPMNE me votat e veta tregon se sa e gabuar është kjo politikë dhe prandaj kjo ka mobilizuar gjithandej shqiptarët që të japin mesazhin se duhet të respektohet vota e qytetarëve, sovranit për të ardhmen e vendit dhe nuk mund të ndahen qytetarët në kategori se si dikush ka të drejtë t’i zgjedh përfaqësuesit e vet dhe dikush që nuk ka të drejtë dhe kjo i ndan qytetarët në zot shtëpie dhe në qiraxhi. Kjo ka qenë esenca e Marrëveshjes së Ohrit dhe VLEN-i për fat të keq është bërë instrument i legjitimimit të shkrirjes së statusit të shtetformësisë së shqiptarëve dhe historia nuk do ua falë atyre këto veprime.
Krejt në fund çfarë nëse Bujar Osmani humb zgjedhjet në Çair. A mendoni se kjo mund t'i japë një kahe tjetër karrierës së juaj politike në të ardhmen?
-Unë angazhimin tim politik nuk e shoh si çështje të karrierës politike. Unë jam kirurg dhe politikën e shoh si shërbim. Prej kur di për veten, jam marrë me iniciativa që u kanë shërbyer njerëzve në çfarëdo dimensioni më të vogël ose më të madh. Kështu që qytetarëve ju dal me sinqeritetin më të madh, me integritetin më të madh që kam krijuar në këto vite, eksperiencën që e kam nëpër institucione për të bërë diçka mirë për komunën ku vetë jetoj. Ashtuqë varet prej qytetarëve se a do më japin besimin për t’u shërbyer, kjo nuk është fare çështje e karrierës politike por çështje e vendimit të qytetarëve se kë do zgjedhin për t’u shërbyer atyre.
Fami Bajrami
Foto: Darko Popov