• e diel, 22 dhjetor 2024

Osmani: Nuk pashë vullnet politik për zgjedhje të jashtëzakonshme, të përgatitemi për ato të rregullta

Osmani: Nuk pashë vullnet politik për zgjedhje të jashtëzakonshme, të përgatitemi për ato të rregullta

Prishtinë, 31 korrik 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me liderët e partive politike parlamentare në Kosovë, deklaroi se nuk sheh vullnet politik për zgjedhje të jashtëzakonshme, prandaj do të bëhen përgatitje për zgjedhje të rregullta, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Pas takimit në Kuvendin e Kosovës, Osmani para gazetarëve deklaroi se mbetet për t'u bërë një analizë e datave të mundshme që është biseduar në këtë takim dhe se së shpejti do të dalë me një datë që do t’ia kumtojë publikut.

Sipas saj, në takim nuk ka pasur vërejtje, por vetëm preferenca të ndryshme ndërmjet datave 26 janar - 16 shkurt 2025, duke shtuar se për zgjedhjet e rregullta diskutohen katër data: 26 janar, 2 shkurt, 9 shkurt ose 16 shkurt.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Osmani iu referua edhe mospjesëmarrjes së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrit Albin Kurti në takim.

"Siç e dini, të gjitha partitë janë të ftuara në nivel liderësh. Nënkryetari (i VV-së, kryetari i Kuvendit) Glauk Konjufca shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të ardhur në takim. Por me faktin që partitë ishin vetëm në nivel liderësh, ne e mbajtëm parimin për të gjithë dhe Konjufca u pajtua me mirëkuptim. Kryetari i VV-së sot nuk ishte i pranishëm. Nuk i dimë arsyet, besoj se mund ta pyesni direkt atë. Supozoj se është në zyrë, kështu që mund të shkoni ta pyesni", tha Osmani.

Ajo theksoi se ka pasur edhe dy mungesa, nga partia e serbëve të Kosovës, Lista Srpska e cila nuk ka informuar asgjë dhe nga Partia e egjiptianëve të Kosovës, Nisma e re demokratike edhe pse kryetari i saj, ministri për komunitete Elbert Krasniqi, paraprakisht kishte konfirmuar pjesëmarrjen.

Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mundësia për këtë ligjërisht ende ekziston, por nevojiten 2/3 e votave në Kuvend, ndërsa sipas presidentes nuk ka ndojnë disponim të partive politike për një gjë të tillë.

"Në rast të shpërndarjes së Kuvendit, afati është shumë i shkurtër. Për momentin jemi duke u përgatitur për zgjedhje të rregullta. Me sa pashë, nuk kishte disponim për zgjedhje të parakohshme. Të gjithë i dimë datat, nga 26 janari deri më 16 shkurt. Planifikimi është shumë i rëndësishëm, andaj do të mundohem si presidente që sa më shpejt të shpall datën e zgjedhjeve", ka thënë Osmani.

Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. Nga partnerët e koalicionit kanë qenë të pranishëm Mimoza Kusari-Lila nga partia Alterantiva dhe Faton Peci nga lista “Guxo”.

 

QËNDRONI TË LIDHUR