• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Osmani nga Uzbekistani nis vizitën e tij në Azinë Qendrore si Kryesues i OSBE-së

Osmani nga Uzbekistani nis vizitën e tij në Azinë Qendrore si Kryesues i OSBE-së

Shkup, 8 gusht 2023 (MIA) - Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga sot e fillon vizitën në Azinë Qendrore. Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme, në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, pjesë e agjendës së Kryesuesit është edhe vizita në Uzbekistan dhe Kazakistan.

Osmani vizitën në Azinë Qendrore do ta nisë nga Tashkenti i Uzbekistanit, ku do të takohet me kreun e shtetit. Është planifikuar takim me Presidentin, Shavkat Mirziyoyev. Ndërkaq përveç takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Uzbekistanit, Bakhtior Saidov do të vijojë konferencë e përbashkët për media. Në Tashkent, Osmani do të takohet edhe me përfaqësues të Zyrës së Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan.

Sipas programit, në Tashkent Osmani do të ketë takim me Tanzila Narbaeva, e cila kryeson Senatin e Uzbekistanit, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Nga Uzbekistani, Osmani do të udhëtojë për në Kazakistan, ku do të ketë edhe takime me zyrtarë shtetërorë, si dhe do të vizitojë Zyrën e Programit të OSBE-së në Astana për t'i parë nga afër aktivitetet dhe projektet që OSBE-ja po i realizon në Kazakistan.

Osmani do të takohet me Presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, ndërsa me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Murat Nurtleu, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media. Në Astana, Osmani do të takohet edhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

"Rajoni i Azisë Qendrore përfaqëson një nga prioritetet në punën e OSBE-së, e cila përballet me sfida të vazhdueshme, tashmë të përforcuara nga ndikimi i agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, si dhe situata në Afganistan. Vizita në Azinë Qendrore përfaqëson realizimin e njërit prej prioriteteve të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, si dhe punën e të gjitha misioneve në terren të OSBE-së dhe mbështetjen e programit dhe projektit të tyre për bashkëpunim me vendet e Azisë Qendrore", theksojnë nga MPJ-ja. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR