• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani në Londër në Konferencën për rimëkëmbjen e Ukrainës: "Forcimi i mbështetjes për Ukrainën si përgjigje ndaj sfidave të përbashkëta të sigurisë"

Osmani në Londër në Konferencën për rimëkëmbjen e Ukrainës:

Shkup, 21 qershor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, që po mbahet në Londër. Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për mbështetjen e Ukrainës, si dhe hapat e ardhshëm për rindërtimin e vendit, i cili po ballafaqohet me pasojat e agresionit ushtarak rus.

Në takim, Osmani, thuhet në kumtesën e MPJ-së, e rikonfirmoi mbështetjen e paekuivoke për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke theksuar ndihmën e ofruar për vendin.

“Që nga fillimi, Maqedonia e Veriut e dënoi ashpër agresionin rus ndaj Ukrainës, duke bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të veprimeve ushtarake dhe duke shprehur mbështetje dhe solidaritet me popullin ukrainas. Maqedonia e Veriut është e katërta në mesin e vendeve anëtare të NATO-s në ndihmën ushtarake për Ukrainën për kokë banori, e njëherit ka ofruar ndihmë humanitare dhe mjekësore”, tha Osmani.

Njëheri, Osmani e theksoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut përmes pjesëmarrjes sonë aktive në Platformën Ndërkombëtare të Krimesë, si dhe duke iu bashkuar së fundmi Grupit Themelues për formimin e Gjykatës Speciale për dënimin e veprës penale - agresionin ndaj Ukrainës.

Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani theksoi se Ukraina është ndër prioritetet e kryesimit tonë, duke theksuar se në dispozicion janë të gjithë mekanizmat e Organizatës për të mbështetur vendin, institucionet e tij dhe njerëzit e zonave të prekura.

Në margjinat e konferencës, ministri Osmani realizoi takime bilaterale me homologët e tij nga vende të ndryshme. bsh/

Foto: MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR