• e martë, 24 dhjetor 2024

Osmani: MPJ zyrtarisht i rekomandoi Qeverisë ta pranojë propozimin e BE-së

Osmani: MPJ zyrtarisht i rekomandoi Qeverisë ta pranojë propozimin e BE-së
Shkup, 1 korrik 2022 (MIA)- Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) zyrtarisht i ka rekomanduar Qeverisë se duhet të pranohet propozimi i Bashkimit Evropian (BE) përfshirë edhe qëndrimin e ekspertëve, thotë ministri Bujar Osmani. “Mendoj se bisedimet sot kanë qenë të hapura dhe transparente, shpresojmë që ta përmbyllim shpejtë këtë proces”, ka thënë Osmani në emisionin Top Tema në Tv Telma. Ka shtuar se nuk konsideron se ky propozim është ideal, por siç tha “na mundëson pas 17 vitesh hyrje dhe kapjen e trenit të fundit për inkuadrim në BE. “Kuptohet se çdo zgjidhje, propozim që duhet të kënaq të dy palët është kompromis dhe se nuk është ideal vetëm për njërën palë, çfarëdo propozimi do të duhet t’i lë të dy palët njësoj të kënaqura apo të pakënaqur. Edhe për këtë propozim, mendoj se nuk është ideal, por na mundëson pas 17 vitesh hyrje dhe kapjen e trenit të fundit për inkuadrim në BE”, tha Osmani. Ministri ka thënë se pozicionet bullgare ishin se nuk duhet të ketë gjuhë maqedonase në BE dhe se duhet të ketë kapitull 35 ku të gjitha kërkesat e Bullgarisë do të jenë aty. “Ne tani kemi një kornizë në të cilën ekziston gjuhë e pastër maqedonase që bëhet gjuhë zyrtare e BE-së pa asnjë shtesë apo kualifikim. Dhe kështu pas dekadash përfundon çështja e gjuhës maqedonase. Mendoj se ky është përfitimi më i madh, suksesi më i madh. Fitorja më e madhe e këtij propozimi është që përgjithmonë mbyllet kontesti ndërkombëtar i gjuhës”, tha Osmani, duke shtuar se ky ndoshta mund të jetë treni i fundit për aderim në BE. Osmani theksoi se në pjesën e çështjeve fondamentale në propozimin e fundit, ku janë udhërrëfyesit që duhet të ndjekim, ka pasur plan veprimi për të drejtat e njeriut që, sipas tij, absolutisht nuk kontestohet dhe në të cilin Maqedonia e Veriut do të lejojë respektimin e të drejtave të njeriut të të gjitha bashkësive etnike, jo vetëm të bullgarëve. “Nuk ka asgjë kontestuese në atë pjesë”, tha Osmani.  

QËNDRONI TË LIDHUR