• e martë, 26 nëntor 2024

Osmani: Kërkesat e Vuçiqit nuk duhet të kuptohen seriozisht, ai nuk dëshiron serbët të kthehen në institucionet e Kosovës

Osmani: Kërkesat e Vuçiqit nuk duhet të kuptohen seriozisht, ai nuk dëshiron serbët të kthehen në institucionet e Kosovës

Prishtinë, 17 shtator 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri thirrje të mos kuptohen seriozisht kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse, sipas saj, ai nuk është me të vërtetë i interesuar për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, "por vetëm dëshiron ta tërheqë vëmendjen e Perëndimit", lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Duke iu drejtuar mediumeve pas hapjes së sotme solemne të Qendrës rajonale për gra, paqe dhe siguri, Osmani e akuzoi Vuçiqin se "po punon prapa skenës për ta destabilizuar rajonin dhe për ta kthyer në vitet e 90-ta".

"Unë jam e bindur se kur Vuçiq flet për rikthimin e serbëve në polici, gjyqësi, parlamentar dhe të tjera ai në fakt po i prezanton këto si fjalë e retorikë për të hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjanë në të vërtetë. Që janë përpjekjet e tij të qeverisë së tij, ushtrisë së tij në trajtimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare që kanë qëllim vetëm dhunën… Në asnjë moment nuk e besoj se Vuçiq është interesuar që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës", tha Osmani.

Në fund të javës së kaluar, Vuçiq bëri thirrje për riintegrim të serbëve në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, mes tjerash, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, kthim të serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësi, si dhe tërheqje të njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga ai rajon.

Osmani në deklaratën për mediumet përsëriti se nuk beson se ato janë kërkesa të sinqerta të Vuçiqit, por shtoi se vetë institucionet e Kosovës duhet të punojnë për "të gjithë qytetarët e vet, pa dallim të përkatësisë etnike, të jenë të barabartë".

Qindra anëtarë të komunitetit serb në veri, në nëntor të vitit 2022, dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë.

Kjo fillimisht ishte reagim i vendimit të Qeverisë së Kosovës për t'i zëvendësuar targat serbe të automjeteve me ato të kosovës.

Prej atëherë, kryetarët e komunave në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq u ndërruan me kryetarë të komunave nga radhët e partive të shqiptarëve, pasi që komuniteti serb shumicë në rajon i bojkotoi zgjedhjet lokale.

Sot më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkesat e Vuçiqit të paraqitura gjatë fjalimit të tij drejtuar opinipnit serb, i quajti "jopaqësore" dhe pjesë të "fushatës së tij agresive për konflikte të reja". ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR