• e martë, 05 nëntor 2024

Osmani: Doemos duhet luftuar ndikimin rus dhe korrupsionin përmes certifikimit të bartësve të funksioneve publike

Osmani: Doemos duhet luftuar ndikimin rus dhe korrupsionin përmes certifikimit të bartësve të funksioneve publike

Shkup, 7 prill 2024 (MIA)- Kandidati për president nga Fronti Evropian, Bujar Osmani sot në konferencën për shtyp sqaroi njërin prej zotimeve më të rëndësishme të Dekalogut “Bordi ndërkombëtar për certifikimin e të gjithë bartësve të funksioneve publike”. 

Osmani shpalosi se si një ndër prioritetet më të rëndësishme të presidentit evropian do të jetë formimi i një Bordi ndërkombëtar i përbërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO dhe në bashkërendim me institucionet e vendit të cilat do ta bëjnë para-certifikimin e të gjithë bartësve të funksioneve publike në dy drejtime, se a kanë lidhshmëri me interesin rus dhe a janë të involvuar në çfarëdo forme dhe çfarëdo niveli të korrupsionit.

“Ideja e këtij Bordi është që të shfrytëzojmë instrumentet të cilat janë veç më ekzistuese por të cilat funksionojnë veç e veç që t’i inkorporojmë ato në një Bord ndërkombëtar, ku do të bëjnë pjesë edhe institucionet tona, instrumentin e SHBA-së për shpalljen e listave, pastaj instrumentet restriktive të BE-së dhe procesin e certifikimit të NATO-s. Kujtoj se në këtë mënyrë, secili që do të propozohet ose do të ketë ambicie për cilindo funksion publik, do të duhet fillimisht të merr këtë certifikate nga ky Bord ndërkombëtar, nga këto institucione, dhe nëse mund të kalon filtrat të cilat i imponojnë këto institucione atëherë do të mund të bëhet ministër, do të mund të bëhet drejtor, gjykatës apo prokuror”, theksoi Osmani.

Mes tjerash Osmani potencoi se ky do të jetë një proces kredibil i vetingut, për pastrimin e atyre që janë të involvuar në korrupsion apo janë përfaqësues të interesave ruse me qëllime për të destabilizuar vendin tonë, për të prishur harmoninë ndëretnike dhe për të ndalur rrugën eurointegruese, duke shtuar se do ky Bord do të lufton korrupsionin që është kancer i një shoqërie i cili ndal zhvillimin, pamundëson shfrytëzimin e fondeve shtetërore në favor të qytetarëve dhe që është një prej faktorëve shtytës për ikjen e njerëzve nga vendi drejt shteteve ku sundimi i së drejtës është i etabluar.    

“Në këtë mënyrë do e rregullojmë korrupsionin e nivelit të lartë dhe këtë ‘gjueti shtrigash” të cilën partitë politike e kanë imponuar në betejën e tyre për të ardhur në pushtet dhe pastaj do të mund pushteti të fokusohet në korrupsionin e të gjitha niveleve të tjera”, nënvizoi kandidati për president, duke shtuar se “ndonjëherë nga kjo betejë e partive politike, për ta ngritur vetëm korrupsionin e nivelit të lartë si çështje të vetme, kemi harruar që korrupsioni është në të gjitha nivelet, në çdo sportel, në çdo institucion, përfshirë në shëndetësi, në arsim dhe qytetarët ballafaqohen me nivel të korrupsionit të ulët mirëpo që për ta është shumë i vështirë dhe ua vështirëson jetën e tyre për të kërkuar shërbime publike”.

Osmani në fund potencoi se kjo nismë dhe ky zotim është një prej detyrave themelore dhe është pika shtyllë e Dekalogut të presidentit evropian.

 

QËNDRONI TË LIDHUR