• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani: Asnjëherë nuk do të ndalemi së kërkuari që kriminelët të dalin para drejëtsisë

Osmani: Asnjëherë nuk do të ndalemi së kërkuari që kriminelët të dalin para drejëtsisë

Prishtinë, 25 mars 2023 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot gjatë vizitës në Krushë të Madhe të Rahovecit, ku ka bërë homazhe në 24-vjetorin e masakrës, tha se nuk mund të ketë paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.

“Sot dhe asnjlherë nuk do të ndalemi se kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i tyre të zbardhet. Asnjëherë nuk duhet të heshtim dhe të dorëzohemi në kërkim të drejtësisë për jetët e pafajshme. Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tentohet të tjetërsohet. Kosova bëri luftë të drejtë e çlirimtare, ndërkaq Serbia ka kryer gjenocid ndaj popullit tonë", tha Osmani.

Në ngjarjen me rastin e krimit të kryer ndaj banorëve të këtij fshati para 24 viteve, Osmani, duke u shprehur respekt viktimave, tha se plagët e 26 marsit të vitit 1999 ende janë të freskëta dhe se fati i intelektualit Ukshin Hoti ende nuk është ndriçuar.  

"Krusha e Madhe është ndër rrëfimet më të tmerrshme të luftës sonë dhe ky rrëfim ende nuk ka mbaruar. Ideja e intelektualit, Ukshin Hoti ende nuk është përmbushur, sepse ende nuk kemi drejtësi për viktimat. Nuk mund të ketë paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë. Ne synojmë paqen, por nuk do të heshtim asnjëherë, duke mbajtur të gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por kemi mundësi ta ndërtojmë të ardhmen mbi respektin që kemi për gjithë ata që dhanë jetën për liri”, tha Osmani.

Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, të cilat merren me të drejtat e njeriut, në fshatin Krusha e Madhe për një ditë janë vrarë 241 persona, kryesisht burra, të moshës prej 10 deri 70 vjeçarë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mëngjes po ashtu e vizitoi fshatin Krusha e Madhe dhe vendosi lule në përmendoren e viktimave të këtij krimi. bsh/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR