• e premte, 05 dhjetor 2025

OSBE/ODIHR: Fushata në raundin e dytë ishte më e përmbajtur se në raundin e parë, me raste të veçanta të sulmeve personale

OSBE/ODIHR: Fushata në raundin e dytë ishte më e përmbajtur se në raundin e parë, me raste të veçanta të sulmeve personale

Shkup, 3 nëntor 2025 (MIA) - Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune u ofroi votuesve mundësi zgjedhjeje midis alternativave politike dhe fushata ishte konkurruese në shumicën e komunave, por jo të gjithë kandidatët kishin kushte të barabarta për fushatë, u theksua në konferencën për shtyp të misionit ndërkombëtar vëzhgues të OSBE/ODIHR për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në vend.

Vëzhguesit vlerësuan se, ashtu si në raundin e parë, liritë themelore të shprehjes si dhe liria e shoqërimit dhe tubimit, u respektuan dhe se kandidatët patën mundësi të bënin fushatë lirisht. Megjithatë, shtuan, toni i fushatës ishte më i përmbajtur se në raundin e parë, me raste të veçanta të sulmeve personale nga kandidatët dhe liderët e partive kundër njëri-tjetrit.

"Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës u zhvillua pa probleme dhe fushata në përgjithësi mbeti konkurruese, por jo të gjithë patën kushte të barabarta", tha Mateo Mekaçi, kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it.

Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan gjithashtu se vazhdoi përfshirja e përfaqësuesve qeveritarë në procesin zgjedhor, si dhe, siç thanë, presioni i vazhdueshëm mbi votuesit, së bashku me akuzat e shumta për blerje votash, gjë që është shqetësuese.

Mekaçi theksoi se ata kanë monitoruar procesin zgjedhor që nga fillimi i shtatorit dhe theksoi se, megjithëse korniza ligjore siguron një bazë teknike për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, edhe më tej ekzistojnë mospërputhje dhe dobësi, veçanërisht në lidhje me administrimin e zgjedhjeve, qasjen në media dhe sistemin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore.

Për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, sipas të dhënave të KSHZ-së, u akredituan 1622 vëzhgues, nga të cilët 957 ishin vendas dhe 651 ndërkombëtarë, dhe 14 ishin gazetarë të huaj. Sipas të dhënave nga ueb-faqja zyrtare e KSHZ-së, më së shumti vëzhgues ndërkombëtarë në Zgjedhjet lokale 2025 ka akredituar ODIHR - Zyra për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut - 500. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR