• e hënë, 23 dhjetor 2024

Orpo: Rusia po përgatitet për një konflikt të gjatë me Perëndimin

Orpo: Rusia po përgatitet për një konflikt të gjatë me Perëndimin

Strasburg, 13 mars 2024 (MIA) - Rusia po përgatitet për luftë të gjatë, ndërsa rezistenca ndaj agresionit të saj është sfida kryesore e gjeneratës, tha kryeministri finlandez Peteri Orpo në Parlamentin Evropian.

Kryeministri i Finlandës, vend që ndan më shumë se 1.300 kilometra kufi me Rusinë, tha në seancën plenare në Strasburg se agresioni rus kundër Ukrainës është një kujtesë e fuqishme e brishtësisë së paqes në Evropë dhe se kërcënon themelet e Bashkimit Evropian dhe është një sfidë kyçe për këtë gjeneratë të lidershipit evropian.

“Është e qartë se Rusia po përgatitet për një konflikt të gjatë me Perëndimin”, tha kryeministri finlandez.

“Megjithatë, Rusia nuk është e pathyeshme”, shtoi ish ministri për Punë të Brendshme, Bujqësi dhe Financa.

Në prill, Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s dhe Orpo theksoi se ky vendim nuk u mor "lehtë" dhe ishte një sinjal i qartë i përkushtimit të Helsinkit për sigurinë e kontinentit.

“Lufta në Ukrainë ishte një thirrje për zgjim. Nuk duhet të jemi më kurrë kaq të varur nga të tjerët për sigurinë dhe energjinë tonë," paralajmëroi ai.

Kryeministri finlandez tha se "Rusia po përdor migrimin ilegal në Finlandë si armë, duke dërguar shtetas të vendeve të treta përtej kufijve të saj".

"Këto shifra janë ende relativisht të ulëta, por fenomeni është shqetësues", ka thënë Orpo duke shtuar se kjo mund të paraqesë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe evropiane.

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR