• e diel, 22 dhjetor 2024

Ora njuz: SPAK ka nisur hetime për kryebashkiakun e Tiranës dhe familjen e tij

Ora njuz: SPAK ka nisur hetime për kryebashkiakun e Tiranës dhe familjen e tij

Tiranë, 10 qershor 2024 (MIA)- Një letër anonime, por me përmbajtje të informacioneve të hollësishme ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj dhe njerëzve të familjes së tij, ka vënë në lëvizje prokurorinë e Posaçme SPAK, duke nisur një hetim kryesisht.

Letra ka mbërritur në SPAK nga persona anonimë të paidentifikuar deri më tani, por që aty radhitet një informacion i detajuar për veprimtarinë ekonomike të Erjon Veliaj, vëllait të tij, gruas Ajolës dhe njerëzve të tjerë të familjes së kryebashkiakut dhe të besuarve të tij në Bashkinë e Tiranës.

Ora njuz ka mundur të mësojë se pikërisht kjo letër anonime që flet për një seri transaksionesh të dyshimta brenda dhe jashtë vendit, investime në pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe jo vetëm, është çelësi paraprak i informacionit që ngriti në këmbë çështjen penale për hetim pasuror ndaj kryetarit të Bashkisë, Erjon Veliaj.

Rasti në fjalë po ndiqet nga Olsi Dado, një prokuror i katapultuar me shumë urgjencë brenda radhëve të SPAK, duke marrë fillimisht dosjen hetimore të mbërritur nga Vlora për kreun e bashkisë Himarë, Jorgo Goro dhe arrestimin e këtij të fundit në 23 mars 2024.

Por nuk kaloi dy muaj nga arrestimi i Jorgo Goros, Ols Dado me urdhër të kreut të SPAK, ka hapur hetim kryesisht duke u mbështetur mbi këtë letër anonime të mbërritur në SPAK, kundër kreut të bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj.

Brenda një kohe shumë të shkurtër një seri shkresash u prodhuan nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK, duke ja dërguar të gjitha bankave të nivelit të dytë në vend, Qendrës Kombëtare të Biznesit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Zyrës së Deklarimit të Pasurive dhe Dhomës së Noterëve Kombëtarë të Shqipërisë, njofton Ora njuz.

Nga ana e ILDKPI-së janë dorëzuar në SPAK të gjitha deklaratat e pasurisë të depozituara nga Erjon Veliaj dhe bashkëshortja e tij.

Në kërkesat e tyre, SPAK kërkon informacion të detajuar për pasuritë, bizneset, transaksionet bankare dhe huatë financiare ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, vëllait të tij Arbër Veliaj, gruas së kryebashkiakut, Ajola Xoxe dhe nënës së tij, Shqiponja Veliaj.

Ndërkohë SPAK informacion ka kërkuar dhe për vjehrrin e Erjon Veliaj, shtetasin Arben Xoxa i cili ka nderuar jetë dhe gruan e këtij të fundit Valbona Xoxa, lidhur me pasuritë që disponojnë, transaksionet që janë kryer në banka.

 

QËNDRONI TË LIDHUR