Orë ekologjike në SHF "Llazo Angellovski" në kuadër të aksionit "Fundjava për pastrim të përgjithshëm"
- Post By Arta Bunjaku
- 13:21, 9 maj, 2025
Shkup, 9 maj 2025 (MIA) - Sot, mijëra orë mësimore në të gjithë vendin u mbajtën në natyrë - mbi 20,000 nxënës dhe më shumë se 1,000 mësues nga shkollat fillore dhe të mesme iu bashkuan eko-aksionit të realizuar në kuadër të fushatës Fundjava për pastrim të përgjithshëm, përmes eksperimenteve praktike, orëve mësimore dhe punëtorive të dedikuara për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.
Përmes mësimeve ekologjike dhe aktiviteteve të pastrimit, nxënësit e shndërruan veprimin mjedisor në mësim praktik. Përveç aktiviteteve të pastrimit, shkollat patën mundësi të zgjedhnin nga mbi 130 aktivitete të përgatitura paraprakisht me video materiale dhe manuale, të përshtatura për mësuesit dhe të zhvilluara nga Byroja për Zhvillimin Arsimor me mbështetjen e UNICEF-it dhe Suedisë.
Në shkollën fillore “Llazo Angellovski”, drejtoresha e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Millka Trimçevska, përfaqësuesja e UNICEF-it, Leslie Miller dhe kryetari i komunës së Aerodromit, Dejan Miteski morën pjesë në aktivitetet shkollore.
"Sot dëshmojmë se kur mësuesit i angazhojnë në mënyrë aktive nxënësit dhe e ndërlidhin mësimin me veprime praktike, atëherë shkollat bëhen shtytës të fuqishëm të ndryshimit. Këto përvoja i ndihmojnë fëmijët t’i fitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për t’u kujdesur mbi mjedisin dhe për të dhënë kontribute cilësore në bashkësitë e tyre", tha Lesli Miller, përfaqësuesja e UNICEF-it.

"Integrimi i mbrojtjes së mjedisit jetësor në mësimin e përditshëm është çelësi për përgatitjen e nxënësve për t'u bërë qytetarë, të informuar dhe të përgjegjshëm. Përmes kësaj iniciative, ne e promovojmë ndërgjegjësimin mjedisor dhe përgjegjësinë qytetare tek fëmijët dhe të rinjtë”, tha Millka Trimçevska, drejtoreshë e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.
"Mbështetja e iniciativave mjedisore ka qenë gjithmonë e rëndësishme për komunën tonë, prandaj për ne është nder i veçantë që këtë vit eventi kryesor po mbahet në një shkollë të komunës sonë. Jemi krenarë që jemi pjesë e një iniciative, e cila i inkurajon fëmijët dhe të rinjtë të përfshihen dhe të kujdesen për mjedisin jetësor”, deklaroi kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski.
Aktiviteti i orës ekologjike është pjesë e programit më të gjerë të UNICEF-it, të financuar nga Suedia, që synon ta mbështesë integrimin e edukimit mjedisor në programin formal mësimor si dhe ta mbështesë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për modernizimin dhe përshirjen e komponenit të gjelbër në sistemin arsimor. Përmes këtij programi, tani programi i ri mësimor dhe tekstet e reja shkollore për klasat I deri në VIII përfshijnë edukimin mjedisor dhe ndryshimet klimatike në të gjitha lëndët.
"Fundjava për pastrim të përgjithshëm po organizohet për të pestin vit radhazi, duke filluar nga viti 2021. Çdo të shtunë të dytë të majit, ne e pastrojmë vendin tonë nga mbeturinat e së kaluarës dhe i riciklojmë ato në një të ardhme të gjelbër për ne dhe brezat e ardhshëm. Këtë vit, aksioni i pastrimit po kryhet në 600 lokacione në bashkëpunim me të gjitha komunat në vend", tha Gordana Sofia nga kompania Man & Mountain (Men end Mauntain).

Fundjava për pastrim të përgjithshëm paraqet partneritet të institucioneve publike dhe sektorit të shoqërisë civile, i cili e kombinon aktivizmin qytetar me mësimin praktik. Ky shembull i aktivizmit qytetar në arsim tregon se kur bashkëpunojnë institucionet, shkollat dhe komuniteti - të rinjtë mund të jenë bartësit të ndryshimit.
Foto: МIА