• e martë, 26 nëntor 2024

Opozita e Kosovës për takimin me Eskobarin: Na u tha se marrëdhëniet me SHBA-në nuk kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët

Opozita e Kosovës për takimin me Eskobarin: Na u tha se marrëdhëniet me SHBA-në nuk kanë qenë asnjëherë në nivel  më të ulët

Prishtinë, 14 mars 2024 (MIA) - Liderët e tri partive kryesore opozitare në Kosovë - Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) - u takuan mbrëmë me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, me çka, siç thanë, ishte theksuar nevoja nga koordinimi i Kosovës me Aleatët perëndimorë dhe rëndësia e partneritetit me SHBA-në, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Lideri i LDK-së, Abdixhiku, në paraqitjen e sotme para gazetarëve në Kuvendin e Kosovës, tha se i dërguari amerikan qartë ua ka bërë të ditur se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së asnjëherë nuk kanë qenë në nivel më të ulët.

"Sa i përket takimit të mbrëmshëm, ishte një takim informues mbi marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe SHBA-së, për ta thënë më thjeshtë në atë që na u tha qartë dhe zëshme nuk kanë qenë as një herë në nivel më të ulët se sa që janë sot. Mungesa e bashkëpunimit të ngushte me aleatët tanë kryesor, me SHBA-në sjell pasoja për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për ne", tha Abdixhiku.

Lideri i PDK-së, Krasniqi pas takimit me Eskobarin mbrëmë tha se gjatë darkës së punës kanë shkëmbyer mendime për ngjarjet aktuale politike në Kosovë dhe për "vizionin për të ardhme përparimtare të popullit dhe vendit". 

"Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-në, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik", theksoi Krasniqi.

Ish kryeministri, lideri aktual i AAK-së, Haradinaj pas takimit tha se vizita e Eskobarit vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe rajonin. 

"Shfrytëzova rastin të falënderoj Eskobarin për angazhimin e tij përgjatë gjithë kohës në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të, njëkohësisht në angazhimin e tij në procesin e dialogut (mes Kosovës dhe Serbisë)", tha Haradinaj.

Ai theksoi se ka kërkuar të ngrihet niveli i marrëdhënieve bilaterale Kosovë-SHBA.

"Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleatin tonë strategjik dhe të përjetshëm, SHBA-ja",tha Haradinaj.

Pas arritjes në Kosovë, dje paradite zëvendës ndihmës sekretari shtetëror amerikan u takua me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, përderisa sot do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Para takimit me liderët opozitarë, i dërguari i presidentit amerikan, Xho Bajden për Ballkanin Perëndimor dje kishte takim me komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, gjeneral Ozkan Ulutash, përderisa sot paradite e vizitoi manastirin e Deçanit, për të cilin dje Qeveria e Kosovës mori vendim t'i njihet pronësia e 24 hektarë tokë. 

Para ardhjes në Kosovë, Eskobari në takim me gazetarët në Bruksel deklaroi se me nikoqirët do të bisedojë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, për nevojën e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe për vendimin kontestues të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalesën e dinarit serb për pagesa me para të gatshme në vend. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR